Komisionieri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Anëtarësimit, z. Johannes Hahn u takua sot me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta me të cilën u shkëmbyen mendimet për procesin e integrimit të vendit në BE, vetingu, lufta kundër korrupsionit dhe liria e shprehjes. 

Kreu i shtetit theksoi se Shqipëria e konsideron anëtarësimin në BE një projekt kombëtar strategjik, që meriton të gjithë angazhimin institucional dhe qytetar për plotësimin e 5 prioriteteve, zbatimi i të cilave do të sjellë çeljen e negociatave të anëtarësimit. 

Gjithashtu kërkoi vëmendjen e ekspertëve të EURALIUS që të asistojnë reformën në drejtësi.  

"Presidenti Meta vlerësoi se lufta e pakompromis kundër krimit të organizuar dhe zbatimi i reformës në drejtësi duhet të njohin hapa të shpejtë e cilësorë përpara, jo vetëm në funksion të vendimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit por edhe në një plan afatgjatë për forcimin e sundimit të ligjit në vend.

 Duke vlerësuar investimin e madh të BE dhe ShBA në reformën në drejtësi, Presidenti Meta vuri në dukje rëndësinë jetike që ka zbatimi i qenësishëm i saj. Ai kërkoi vëmendjen e posaçme të ekspertëve të EURALIUS që asistojnë në këtë proces, për interpretimin e saktë të legjislacionit në interes të krijimit sa më të shpejtë e të besueshëm të institucioneve të reja të drejtësisë" thuhet në njoftimin e presidencës.

 Sa i takon zhvillimeve në rajon Presidenti Meta theksoi rëndësinë jetike të anëtarësimit sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO, me bindjen se do të gjenerojë me shumë siguri për të gjithë rajonin, si dhe domosdoshmërinë e liberalizimit të shpejtë të vizave për Kosovën. 

/Oranews.tv/ 

/Ora News.tv/