Presidenti Ilir Meta ka vendosur t’i propozojë Kuvendit si kandidat për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, profesor Petraq Milo. Kandidatura e tretë e Metës vjen pas rrëzimit të dy të mëparshmëve për Vitore Tusha dhe Bahri Shaqirin nga mazhoranca socialiste.

Pas rrëzimit të dy kandidaturave Vitore Tusha dhe Bahri Shaqirin nga mazhoranca socialiste, Presidenti Ilir Meta ka vendosur t’i propozojë Kuvendit si kandidat për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, profesor Petraq Milo.

Lajmin e ka bërë me dije zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi. Në njoftimin e Presidencës për mediat,  se Milo është një personalitet me një eksperiencë të jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë vendit në fushën e financave, të auditit, të bankave dhe të ekonomisë në tërësi, gjithashtu me një kontribut të spikatur në drejtimin e institucioneve financiare, fiskale e bankare në Kosovë.

Por, në të dhënat e CV së Petraq Milos vihet re se Milo ka qenë këshilltar i ish kryeministrit Sali Berisha për gati 8 vite. Në njoftimin e shpërndarë nga Presidenca thuhet se nuk gjendet një kandidat më i përshtatshëm për kreun e KLSH.

“Presidenti Meta duke qenë i bindur në drejtësinë e vendimit të Tij, pasi ka lexuar me shumë vëmendje sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për kryetar i KLSH-së, nuk gjeti dot një kandidat më të përshtatshëm dhe me kaq eksperiencë të gjithanshme, si Prof. Dok. Petraq Milo, për të përmbushur me profesionalizëm dhe dinjitet këtë detyrë tepër të rëndësishme kushtetuese”.

Presidenti Meta ka falënderuar edhe njëherë kandidatët e mëparshëm të propozuar prej Tij për postin e kryetarit të KLSH-së, znj.Vitore Tusha dhe z.Bahri Shaqiri, të cilët pranuan kandidimin e tyre dhe është i bindur edhe sot në integritetin e lartë të tyre për drejtimin e KLSH.

/Ora News.tv/