Meta depoziton kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit për shembjen e Teatrit

Presidenti i Republikës Meta depozitoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Presidenti e konsideroi vendimin për shembjen një proces kriminal dhe theksoi se është e nevojshme ndërpreja e këtij akti.

Në një deklaratë për mediat, Meta tha se do veproj drejtësia shqiptare ndaj rilindasve kombëtare dhe ndërkombëtare që e kanë lënë vendin pa gjykatë kushtetuese dhe morën vendimin për të shkatërruar teatrin.

Ilir Meta: "Në radhë të parë dua të theksoj rëndësinë e madhe që ka akti im sot që është në koherencë me përpjekjet e mia të vazhdueshme ne raport me Kuvendin, qeverinë dhe institucionet vendore të përfshira në këtë proces kriminal, të kapjes më flagrante të shtetit në dhunim të rendit kushtetues të vendit, të akteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare dhe njëkohësisht në kundërshtim të plotë me interesat kombëtare të vendit tonë pasi ligji për shkatërrimin e teatrit kombëtar është një simbol, kryevepër, ku si asnjëherë tjetër më parë kryhet në harmoni të plotë një krim kushtetues, krim kombëtar dhe kulturor dhe e gjitha kjo vetëm në interes të asaj që mund ta quajmë me shumë të drejtë jo 'rules of law' por 'rules of oligarks'.

Dua ti siguroj të gjithë se kam ardhur sot këtu për të garantuar që Republika e Shqipërisë do jetë një vend i sundimit të ligjit dhe i sundimit të popullit, boll me sundimin e oligarkëve. Është e domosdoshme ndërprerja e këtij akti kriminal që filloi sot në mëngjes dhe që më solli edhe mua këtu për të evituar konfliktin me aktorët, regjisorët dhe komunitetin. Dua ti siguroj të gjithë se do të veprojë drejtësia shqiptare dhe drejtësia ndërkombëtare ndaj rilindësve lokalë dhe ndërkombëtare që e kanë lënë vendin pa gjykatë kushtetuese deri tani."

"Ramaforma la vendin pa Kushtetuese" - "Nuk jemi rastësisht pa gjykatë kushtetuese. Për faktin se ne nuk kemi sot Gjykatë Kushtetuese, fajin nuk e ka reforma, jo. Reforma e votuar me 140 vota në Kuvendin e Shqipërisë në mesnatën e 21-22 korrikut nuk e linte pa Gjykatë Kushtetuese. Pa Gjykatë Kushtetuese e la Ramaforma. Dhe është Ramaforma që shkatërroi KED-në në vitin 2017 dhe KED-në në vitin 2018 dhe që përpiqet me të gjitha format e veta për të kapur këtë institucion.

Drejtësia shqiptare dhe ndërkombëtare do veprojnë një ditë për këtë krim që është simbol i kapjes së shtetit, të gjithë institucioneve që është shkatërrimi i teatrit kombëtar. Është krim kushtetues, krim ndaj interesit kombëtar, publik. Është përpjekje për të instaluar me dhunë 'rules of oligarks' në Shqipëri,"-tha ai.

"Nuk ka forcë që ndalon presidentin" - Meta shtoi se: "Nuk ka forcë në botë që më ndalon mua si President i Shqipërisë për ti vënë përpara drejtësisë shqiptare dhe ndërkombëtare rilindësit lokale dhe rilindësit ndërkombëtarë që kanë goditur në mënyrë skandaloze reformën madhore që bëmë para tre vitesh për tu dhënë drejtësinë shqiptarëve në mënyrë qe ti japin totalisht drejtësinë oligarkëve."

"2 vite president, i lumtur për procesin e dekorimit"  - Presidenti komentoi edhe procesin e shkarkimit: "Unë jam i lumtur për procesin dekorimit që ka filluar ndaj meje në mbrojtje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe për koecidencë sot mu kujtua që kam bërë dy vite që jam betuar në Kushtetutën e Shqipërisë. Asnjë president më parë nuk ka ardhur këtu sepse nuk ka qenë e nevojshme dhe e domosdoshme për të ardhur. Por kam bindjen se drejtësia shqiptare dhe ndërkombëtare janë në veprim dhe do jenë në veprim pavarësisht nga të gjitha pengesat dhe mafiozllëqet me të cilat ndeshet rrugës. Dhe drejtësia kombëtare është kryesorja."

Meta mbërriti rreth orës 13:08 në Kushtetuese i shoqëruar zëdhënës presidenti, Tedi Blushi.

Ne nje postim ne Facebook pak me pare, Presidenti e quajti te turpshme rrethimin me polici te Teatrit dhe përplasjet fizike të policisë me komunitetin e artistëve. 

"Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare. As sampistët e Ramiz Alisë nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor '90!

Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp!" 





EMISIONET