Meta: Kushtetuta po shkelet për të përqënduar pushtetet tek Rama, referendum për të mbrojtur Republikën

Meta: Kushtetuta po shkelet për të përqënduar pushtetet tek

Presidenti Ilir Meta në një deklaratë të jashtë zakonshme nga Presidenca është shprehur se Jemi para një situate dramatike, ku Kushtetuta po shkelet dhunshëm, dhe ka vetëm një qëllim, përqëndrimi i pushtetit në duart e kryeministrit Rama. 

Kreu i shtetit ftoi qyterët të marrin në dorë fatet e tyre, ndërsa tha se do të bejë gjithçka që të mbahet referendum për mbrojtjen e Kushtetutës

Ai tha se qeveria nuk jep llogari ndaj askujt, ndërsa pushteti ekzekutiv është bërë njësh me pushtetin legjislativ.

Ilir Meta: Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto, tashmë jemi përpara një situate edhe më dramatike, ku Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ajo që na rekomandoi Komisioni i Venecias, po shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e Kryeministrit aktual.

Jemi në kushtet ku qeveria nuk është llogaridhënëse ndaj askujt në Republikën e Shqipërisë;

Ku pushteti ekzekutiv është unifikuar me pushtetin legjislativ;

Ku nga Kuvendi i Shqipërisë janë dorëhequr 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës;

Ku numrin kushtetues të përcaktuar qartë prej 140 deputetësh të Kuvendit ai nuk e plotëson dot më prej gati 10 muajsh;

Ku janë kapur të gjitha bashkitë e vendit, në një proces antiligjor me votime një-partiake, duke dhunuar edhe parimin kushtetues të autonomisë vendore;

Ku vendi është lënë qëllimisht për dy vite radhazi pa Gjykatë Kushtetuese dhe ku po bëhet çmos për bllokimin e mëtejshëm të krijimit të saj siç e parashikon Kushtetuta;

Ku vendi dhe qytetarët janë lënë pa Gjykatë të Lartë, si pasojë e së cilës janë mbivendosur mbi 32.000 çështje gjyqësore, që do të kërkonin të paktën 20 vite për t’i trajtuar nga sot;

pra me këto afate një pensionist mund të mos arrijë ta gëzojë kurrë pensionin që i takon.

Ku Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, term që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë së votuar me konsensus me 140 vota është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, për të korrur ato rezultate mahnitëse që ju i dini të gjithë;

Ku dhunohen të drejtat e qytetarëve në mënyrë arbitrare, duke u rrëmbyer pronën, shtëpitë e bizneset në mes të ditës;

Ku kanë kaluar mbi 20 ligje antikushtetuese që cenojnë hapur interesin publik;

Ku qeveria për të pasuruar një kastë oligarkësh, që i shërben asaj verbërisht, ka krijuar një borxh që qytetarët shqiptarë do të duhet ta shlyejnë në 20 vitet e ardhshme;

Ku fjala e lirë është zëvendësuar nga censura dhe autocensura në shërbim të propagandës;

Ku Shqipëria zhytet poshtë e më poshtë në të gjithë treguesit politikë, ekonomikë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut;

Ku vendi po shpopullohet pa ndalim;

Ku si rezultat i sukseseve imagjinare në Shqipëri nuk ka më asnjë investim serioz as nga ShBA, as nga Gjermania, as nga Franca, as nga Italia, e as nga Britania;

Ndaj është koha për t’i thënë NDAL këtij degradimi të shtetit dhe të atdheut tonë!

Lexo me shume: Meta bën shqiponjën dhe thërret për referendum: Të mbrojmë Republikën

Kreu i shteti, ftoi qytetarët në referendum për mbrojtjen e Kushtetutën, ndërsa garantoi  se do të bëje gjithçka që kjo të ndodh, ashtu sic ligji themeltar i shtetit mori jetë rreth 21 vite më parë.   

"Kushtetuta e Republikës është vija e kuqe dhe e kuqe flake. E pakalueshme nga armiqtë e saj dhe të Republikës së të gjithë Shqiptarëve. Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë shpresëhumbur.  Presidenti do të jetë në mbrojtje të drejtëpërdrejtë të lirive dhe të drejtave themelore të popullit shqiptar. Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit shqiptar që përmes referendumit të mbrojë Republikën. Le të jetë populli shqiptar që do të vendosë nëse pranon të rikthehet në diktaturë apo të mbrojë demokracinë që është fituar me shumë sakrifica"

Presidenti tha se vendi ndodhet në kaos institucional, duke e vlerësuar sërish kuvendin si ilegjitim. Në këtë pikë përsëriti thirrjen  ndaj  qytetarëve që  të marrin në dorë fatet e tyre.

Kreu i shtetit tha se vendi është në situatë të jashtëzkonshme ku të drejtat dhe liritë e qytetarëve po cenohen, ndërsa tha se prej kohësh nuk ka asnjë investim amerikan, gjerman apo vendet e zhvilluara evropiane.

Lexo me shume: Meta reagon pas qëndrimit të DASH: E përshëndes, respektimi i ligjit mbi të gjitha

EMISIONET