Presidenti, Ilir Meta, kthen për shqyrtim në Kuvend ligjin për “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, i cili legjitimon kriptomonedhat.

Në arsyetimin prej 11 faqesh, Presidenti nënvizon se zhvillimi tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, kërkon patjetër plotësimin e parakushteve, në mënyrë të veçantë adresimin e standardeve të dobëta të qeverisjes së korporatave, dhe nga ana tjetër forcimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore mbikëqyrëse të këtyre tregjeve, për të përballuar në kohë rrezikun që mund të shfaqet.

Kjo për të rritur nivelin e sigurisë së produkteve financiare dhe të vetë stabilitetit ekonomiko-financiar, në mbrojtje të interesit publik.

Meta nënvizon se miratimi i ligjeve në këtë fushë mbetet ende një risi dhe për vendet e zhvilluara, ndërsa në Shqipëri, ndërmerren direkt hapa për implementimin e tyre pa një vlerësim të mirëfilltë, vlerësim ky që mungon në praktikën dokumentare parlamentare. Implementimi i dispozitave të tilla ligjore, në një realitet si ky i yni, bart me vete rrezikun e shumëfishimit të rreziqeve negative që kjo risi paraqet në vende të zhvilluara.

"Këto rreziqe mund të sjellin pasoja sociale brenda familjeve shqiptare dhe pasoja ekonomike, deri në atë masë sa mund të lëkundin stabilitetin e monedhës vendase, rritjen e inflacionit apo të kursit të këmbimit të lekut me monedha të huaja. Pastrimi i parave dhe veprimtaria terroriste janë dy nga shqetësimet".

Për Kreun e Shtetit, një nismë e tillë, e miratuar pa një vlerësim të thelluar të kushteve ekonomike dhe rregullatore të vendit, që nuk synon të përafrojë asnjë rregullore apo direktivë, rrezikon të cenojë interesin publik në tërësi, për shkak se prek shumë aspekte të jetës dhe veprimtarisë së përditshme.

"Nëse transaksioni kryhet duke pranuar para FIAT, atëherë duhet të hapet një llogari bankare dhe të lihet gjurmë, të kontrollohet burimi, lloji i transaksionit, kontrolli i parasë (nëse bëhet fjalë për pastrim parash, apo jo), si dhe lind detyrimi fiskal nga transaksioni. Ligji nuk parashikon asnjë mjet kontrolli efektiv si më sipër.  E njëjta problematikë si më sipër është dhe lidhur me zbatimin e detyrimeve. Ndërkohë që, në rastin konkret, bëhet fjalë për transaksione që mund të mos lënë asnjë gjurmë. Në këto kushte, si do të mblidhen detyrimet tatimore për këto transaksione? Ky është një shqetësim edhe për vendet e zhvilluara sa u takon transaksioneve me monedha virtuale".

Janë 22 nene ku presidenti u kërkon deputetëve të Kuvendit të reflektojnë.

Meta thotë se Kuvendi duhet të analizojë me kujdes në kushtet aktuale të ekonomisë së vendit tonë dhe në raport me kapacitetet për ushtrimin e kontrollit efektiv, të gjitha risqet që lidhen me paqëndrueshmërinë, natyrën e decentralizuar, kërcënimet e perceptuara ndaj sistemeve monetare aktuale dhe hapësirave që mund të krijohen për zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme të pastrimit të parave përmes aktiviteteve tregtare virtuale.

Kuvendi gjithashtu duhet të ketë në vëmendje që ky ligj, duke mos përcaktuar mekanizma për parandalimin e shmangies fiskale, rrezikon të çojë në dëm të konsiderueshëm në financat e shtetit, në cenim të interesit publik.

Me miratimin e këtij ligji nga Kuvendi, Shqipëria u bë një nga të paktat vende të Europës që legalizon dhe rregullon kuadrin ligjor për monedhat virtuale.

Deri tani, në Europë vetëm dy shtete kanë marrë hapa për të zbatuar një legjislacion të caktuar për aktivet virtuale, të cilat nuk mbulohen nga kuadri ekzistues i Bashkimit Europian.

Kështu, Malta ka në fuqi një ligj për aktivet virtuale, Franca e ka miratuar ligjin në prill të vitit 2019, sipas relacionit që shoqëron projektligjin.

Lexo të plota arsyet e kthimit të ligjit nga Presidenti

/Ora News.tv/