Meta intervistë për ADN: Qëllimi i vetëm i Platformës zbatimi i Kushtetutës dhe 15 kushteve të BE

Meta intervistë për ADN: Qëllimi i vetëm i Platformës

Presidenti Meta ka dhënë shpjegime ne lidhje me qëllimin e Platformës me 14 pika që ai propozoi.

Në një intervistë për “Albanian Daily News” Meta u shpreh se qëllimi i vetëm ka qenë zbatimi i Kushtetutës dhe 15 kushteve të BE.

Meta ka shtuar se në thelb kjo platformë do të mund të sigurojë moscenimi i Reformës në Drejtësi.

ADN: Cili është qëllimi i Platformës suaj?

Meta: Me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të gjithë aktorët politikë vendas shfaqën një sjellje të përgjegjshme dhe një frymë të re bashkëpunimi, në shërbim të interesit më të lartë ndaj qytetarëve dhe vendit.

Me këtë frymë, unë organizova dy mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme, mbizotëroi ndjenja e përgjegjshmërisë.

Më 23 mars 2020, gjatë një takimi pune me Ambasadoren e SHBA diskutuam se si mund të ndërtojmë më tej mbi këtë frymë, veçanërisht në kontekstin e nisjes sa më parë të negociatave të anëtarësimit me BE, kur në qershor pritej prezantimi i kuadrit negociator për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe raportet e progresit për secilin vend.

Ramë dakord se zbatimi i prioriteteve kyçe, sipas përgjegjësive të secilit aktor dhe në një frymë bashkëpunimi janë e vetmja mënyrë për të ecur përpara.

Gjatë këtij takimi i premtova Ambasadores se do t’i nisja shumë shpejt një projekt-platformë, që do të mund të shërbente si pikënisje për një dialog të strukturuar dhe hap pas hapi deri në një dokument të konsoliduar të dakordësuar të të gjitha palëve, me angazhime konkrete dhe të matshme për çdo aktor institucional.

Në datën 8 prill, kjo projekt-platformë iu përcoll Ambasadores, siç kishim rënë dakord.

ADN: A e cenon kjo Platformë Reformën në Drejtësi?

Meta: Kushdo që e lexon këtë projekt-platformë mund ta shohë qartë që ka vetëm tre referenca bazë: 15 kushtet e Bashkimit Evropian, zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, dhe orientimin sipas rekomandimeve që jep Projekt-Opinioni i Komisionit të Venecias i datës 6 mars 2020, i kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

As BE, as Kushtetuta dhe as Komisioni i Venecias nuk e cenojnë reformën në drejtësi, përkundrazi nxisin, inkurajojnë dhe kërkojnë zbatimin më rigoroz të saj.

Ashtu siç rekomandojnë dhe BE dhe Komisioni i Venecias për të disatën herë, ashtu siç e përmban fryma e Kushtetutës, dhe ashtu siç e kam përsëritur pa u lodhur dhe unë, zbatimi kushtetues i reformës në drejtësi duhet të ruajë frymën e konsensusit për të shmangur kapjen nga forca politike në pushtet.

Të gjithë e dimë se aktualisht i vetmi dialog gjithëpërfshirës po zhvillohet në kuadër të Këshillit Politik për reformën zgjedhore, të ngritur me mbështetjen edhe të BE. Një nga propozimet e projekt-platformës ishte që çdo nismë apo kërkesë për ndryshime ligjore që mund të konsiderohen të nevojshme nga palët, sikundër kanë propozuar disa eksponentë të mazhorancës, të diskutohej në këtë model formati gjithëpërfshirës, përpara se të miratohej në Parlamentin një-partiak.

Pra, në thelb do të mund të sigurohej moscenimi i Reformës në Drejtësi, ndryshe nga sa sugjeron pyetja juaj.

ADN: A është e vlefshme më kjo Platformë? 

Meta: Kjo platformë është në shërbim dhe dobi të plotësimit të 15 kushteve të BE.

Përderisa kushtet e integrimit evropian janë në fuqi, dhe koha po rrjedh, padyshim që është edhe më e vlefshme, e domosdoshme, e menjëhershme dhe aktuale. Fatkeqësisht duket se interesi, sidomos nga ana e Kryeministrit, në përmbushjen e kushteve të integrimit nuk është ai që duhet të ishte, pasi çdo kusht i përmbushur kërkon që Kryeministri të bëjë hapa mbrapa nga territoret që ka pushtuar në drejtësi, media, dhe drejtime të tjera.

ADN: A do angazhoheni më ju për këtë gjë?

Meta: Mendoj se përpjekjet dhe vullneti im për të bashkuar palët në një proces të përgjegjshëm dhe efektiv gjithëpërfshirës mori një përgjigje mjaft brutale mëngjesin e 17 majit.

Atë mëngjes u shokua jo vetëm populli shqiptar por edhe e gjithë bota demokratike, u shemb në mënyrë të paligjshme jo vetëm Teatri por edhe çdo shpresë që kjo qeveri mund të respektojë parimet e shtetit të së drejtës.

Për më tepër, që u refuzuan jo vetëm thirrjet e mia për të pritur gjykimin e Gjykatës Kushtetuese por edhe ato të Komisionit Evropian dhe të shumë partnerëve të tjerë të përgjegjshëm.

Megjithatë, unë i nxis palët të shohin mundësinë e rivendosjes së një besimi apo bashkëpunimi në këtë drejtim. Megjithëse duket qartë që ethet e fushatës elektorale kanë nisur dhe integrimi evropian duket se ka humbur edhe si retorikë në prioritetin e tyre.

EMISIONET