Presidenti Ilir Meta në një intervistë të dhënë për “ALB UK TV” me gazetarin Ian Pelham Turner deklaron se nuk e sheh zgjidhje për rajonin ndryshimin e kufijve.

Meta thotë se Ballkani mund të bëjë progres vetëm duke bashkëjetuar në harmoni dhe në një të ardhme të afërt pse jo të mos heqë fare kufijtë si Bashkimi Europian.

Gazetari: E di që keni dëshira të mëdha dhe unë besoj se filozofia juaj është të krijoni stabilitet me vendet e tjera të rajonit. A mund të na e shpjegoni se si ndiheni në lidhje me këtë filozofi tuajën?

Presidentit Meta: Kjo është filozofia mbi të cilën është ndërtuar Bashkimi Europian, e bashkëpunimit, e bashkëjetesës për të garantuar një ambient të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pavarësisht nga kombësia, pavarësisht nga përkatësia fetare apo përkatësive të tjera. Dhe unë besoj se për Ballkanin kjo ka qenë dhe mbetet tepër vitale.

Integrimi europian ka qenë dhe mbetet ende fuqia më inkurajuese për transformimin e këtij rajoni gjithmonë bazuar në bashkëjetesë dhe duke i kthyer shpinën nacionalizmit të sëmurë dhe provokativ, i cili ka shkaktuar drama të jashtëzakonshme, jo vetëm për rajonin tonë, por edhe për kontinentin.

Në këtë drejtim filozofia kryesore është pikërisht kjo, se në Ballkan vetëm bashkëjetesa mund të funksionojë për arsye sepse çdo komb në Ballkan është shumicë në një shtet, është pakicë në një apo në disa shtetet të tjera. Dhe e vetmja zgjidhje është pikërisht, të gjithë vendet të respektojnë sipas standardeve europiane të drejtat e pakicave.

E ardhmja e Ballkanit nuk është ndryshimi i kufijve, por është heqja e kufijve si në vetë Bashkimin Europian. Kjo është filozofia kryesore që më ka motivuar mua të punoj mjaft ngushtë me të gjithë fqinjët dhe me vendet e rajonit tonë, me të cilat në të kaluarën për arsye të ditura kemi qenë në një marrëdhënie jo miqësore.

Presidenti Meta ka folur edhe për integrimin europian, duke theksuar se shpreson shumë që këtë vit të hapen negociatat.

Presidentit Meta: Gjatë këtij viti unë do të doja shumë që ne të çelnim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Do të ishte një arritje pozitive për Shqipërinë dhe këtë ta arrinim bashkë me fqinjën tonë, Maqedoninë, që arriti një sukses të madh duke zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë, duke qenë e gatshme tashmë për t’u anëtarësuar edhe në NATO.

Së dyti do të dëshiroja shumë që të kemi edhe një finalizim të suksesshëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo do të ishte vendimtare për forcimin e paqes, stabilitetit dhe të bashkëjetesës në rajonin tonë, por edhe për të garantuar perspektivën europiane të dy vendeve, si të Serbisë edhe të Kosovës njëkohësisht.



/Ora News.tv/