Debatet në distancë me tifozët e Arsenal i kanë kushtuar shtrenjtë futbollistit me origjinë shqiptare, Granit Xhaka.

Lojtari i cili përfaqëson kombëtaren e Zvicrës i është hequr shiriti i kapitenit, ndërsa besohet se do të jetë jashtë planeve të trajnerit, Unai Emery për sa kohë spanjolli drejton në Londër.

Kjo, pritet të sjellë një mini-revoltë nga ana e 27 vjeçarit, që tashmë ka nisur nga puna për të gjetur një skuadër të re. Milan duket ajo më e interesuara, me italianët që kanë nevojë për gjak të ri në mesin e fushës. Xhaka mendohet se është ai i duhuri dhe merkato e janarit do të jetë ajo që do të vendos gjithçka.

Por, 7 herë kampionët e Europës nuk janë ekipi i vetëm që mendon për Xhakën. Një tjetër skuadër e interesuar për mesfushorin është klubi i njohur i Premier League, Newcastle.

"Qymyrxhinjtë" kanë nevojë për lojtarë të ri në skuadër, çka do t'i sillte edhe më shumë minuta në këmbë. Situatë që preferohet tepër dhe nga ana e 27 vjeçarit, të cilit i duhen sa më shumë minuta për të qënë i gatshëm për Zvicrën në finalet e Europianit 2020.



/Ora News.tv/