Një reportazh me 5 pjesë që rrëfen rrugën e trafikut të drogës nga Kolumbia e Meksika deri në Shqipëri , pritet të shfaqet së shpejti në këtë sezon vere në Radio Televizionin Publik Italian RAI.

I realizuar nga korrespondenti i RAI, gazetari Valerio Cataldi, ky reportazh nis dokumentimin e trafikut të kokainës e heroinës nga Guerrero, një shtet i vogël në Meksikën jug perëndimore e nyja më e madhe e shpërndarjes së drogës drejt tregjeve të shitjes në SHBA e Europë. Aty kultivohet lulëkuqja e opiumit, që më pas transfomohet në heroinë.

Nën titullin "Narkotika", reportazhi është realizuar falë bashkëpunimit me Prokurorinë Antimafia të Reggio Calabria, Nicola Gratteri, i cili pak kohë më parë në një intervistë eksluzive për RTV Ora, ka rrëfyer lidhjet e trafikantëve shqiptarë me mafian italiane e rolin e tyre në trafikun e drogës në Europë.

Prej disa vitesh mafia kalabreze Ndrangheta konfirmohet organizata kriminale me kontaktet më të fuqishme në Meksikë në administrimin e trafikut të drogës. Sipas informacionit të prokurorit antimafia Gratteri, është mafia kalabreze, e cila ka hedhur në treg shitjen e drogës Fantanyl, një derivat i fuqishëm i opiumit që po shkakton një masakër të vërtetë toksike në SHBA.

Raportet e antimafias italiane e hetimet e mjaft operacioneve kanë dokumentuar lidhjet e grupeve kriminale shqiptare me mafian kalabreze Ndrangheta. Prokurori antimafia Nicola Gratteri së bashku me njerëzit e tij do të rrëfejnë pjesë të hetimeve që zbardhin aferat e drogës së Ndranghetas me narkotrafikantët amerikano jugor.

Nga Meksika, dokumentari zhvendoset në Kolumbi në Katatumbo, në laboratorët klandestine të përpunimit të drogës e mbyllet në Shqipëri.

"Narkotika" pritet të shfaqet gjatë muajit korrik në kanalin televiziv publik italian RAI 3.


/Ora News.tv/