Më 6 nëntor shpërndahet parlamenti britanik, nis fushata 5-javore

Më 6 nëntor shpërndahet parlamenti britanik, nis fushata 5-javore

Parlamenti britanik ka miratuar propozimin për shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja të përgjithshme më 12 dhjetor. Fushata elektorale do të nisë javën e ardhshme dhe do përqendrohet kryesisht te realizimi ose anulimi i Brexit-it.

Më 12 dhjetor Mbretëria e Bashkuar shkon në zgjedhje të parakohshme pas përpjekjeve pa rezultat për të kapërcyer ngërçin rreth marrëveshjes "Brexit".

Propozimi i kryeqeveritarit Boris  Johnson mori të martën 438 vota pro dhe 20 kundër dhe pritet të konfirmohet brenda javës edhe në dhomën e lordëve.

Mbështetje dhanë më shumë se gjysma e opozitarëve laburistë, duke e çuar vendin drejt një procesi elektoral dimëror për herë të parë që nga viti 1923.

"Nuk na mbetet zgjidhje tjetër përpos nënshtrimit me përulje ndaj gjykimit të elektoratit. Një parlament i rivitalizuar me një mandat të ri, do përmbushë vullnetin trevjeçar të popullit dhe do realizojë daljen tonë nga BE-ja," deklaroi Johnson në seancë.

Parlamenti aktual parashikohet të shpërndahet të mërkurën e ardhshme për të bërë të mundur çeljen e fushatës elektorale pesëjavore.

Anketat tregojnë se tema më shqetësuese për publikun britanik mbetet Brexit-i, ndjekur nga shërbimi shëndetësor, krimi, ekonomia dhe emigracioni.

Konservatorët e kryeministrit Johnson do ta fokusojnë betejën elektorale te dalja e vendit nga BE-ja brenda 31 janarit 2020, ndërsa opozita laburiste do të shtyjë idenë e një referendumi të dytë dhe anulimin e Brexit.

Ekspërtët e sondazheve parashikojnë që mazhoranca aktuale të ruajë avantazhin me mandate ndaj opozitës, por rezultati do të jetë i vështirë për t'u paracaktuar.

EMISIONET