Mbyllen bizneset e vogla, shtohen bizneset e mëdha

Mbyllen bizneset e vogla, shtohen bizneset e mëdha

Gjatë 2018 shumë biznese të vogla kanë mbyllur qepenat, por ndërkohë ka pasur një rritje të numrit të bizneseve të mëdha. Sipas anketës strukturore të ndërmarrjeve të publikuara nga INSTAT, rezulton se gjatë 2018 kanë operuar 824 biznese të vogla më pak.

Reformat administrative të viteve të fundit kanë vënë në vështirësi bizneset e vogla.

Përfshirja në TVSH ka rezultuar një ngarkesë e shtuar e cila do të vazhdojë vitin tjetër me procesin e fiskalizimit, i cili pritet të ketë gjithashtu kosto shtesë.

Të dhënat e INSTAT në anketën e strukturës së ndërmarrjeve tregojnë se në 2018 ka pasur një mbyllje të ndjeshme të bizneseve të vogla.

Në vend ushtrojnë aktivitetin 824 biznese familjare me 1 deri në 4 punonjës më pak viti i shkuar, çka tregon ulje të mirëqënies së familjeve shqiptare.

Përtej kësaj situate, sipas të dhënave të INSTAT rezulton se ka pasur një shtim të biznesve të mëdha.

Në 2018 janë regjistruar 86  biznese të reja me mbi 50 punonjës. Numri i ndërmarrjeve aktive për vitin 2018 u ul me 0,2 %, ku prodhuesit e shërbimeve dhe të mirave kontribuan negativisht me nga 0,1 pikë për qindje.

Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve është ai i tregtisë 41,4 %, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve.

Kontributin më të madh në ekonomi  e kanë dhënë bizneset e mëdha  edhe pse janë vetëm 1,2%  e ndërmarrjeve, pasi realizuan thuajse gjysmën e shitjeve neto,  mbajnë 42,2 % të numrit të punësuarve gjithsej  si dhe 60,5 % të investimeve.


EMISIONET