Mashtruesi kosovar kapet në Korçë, ishte në kërkim në 4 qytete, i gjendet thikë dhe sëpatë

Mashtruesi kosovar kapet në Korçë, ishte në kërkim

Një 31-vjeçar nga Kosova i shpallur në kërkim për mashtrim në Vlorë, Fier, Tiranë e Elbasan është arrestuar në qytetin e Korçës.

Në kuadër të operacionit policor të koduar "Koordinimi" u vu në pranga shtetasi L. S., 31 vjeç, banues në Gjilan, Kosovë, i dënuar më parë për veprën penale "Mashtrimi".

Shtetasi i mësipërm rezulton i shpallur në kërkim në qarqet Vlorë, Elbasan, Tiranë e Fier, për veprën penale "Mashtrimi" si më poshtë:

-        Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 2 vjet burg, pasi nëpërmjet mashtrimit që u ka bërë dy personave (në kohë të ndryshme) dyshohet se ka përfituar një shumë mbi 10000 euro.

-        Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën "Mashtrimi, kryer në bashkëpunim".

-        Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masat e sigurisë "Arrest në burg", pasi ky shtetas në disa raste ka përfituar me anë të mashtrimit shuma parash duke shituar mjete të marra me qira.

-        Po ndaj këtij shtetasi po zhvillohen hetime edhe nga Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar në DVP-Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë, pasi ky shtetas, me anë të mashtrimit ka përfituar nga një shtetas në Levan të Fierit, një shumë prej 850.000 lekësh.

Shtetasi L. S., në momentin kur shërbimet e Policisë në lagjen nr. 9, i kanë kërkuar të ndalonte, nuk i është bindur urdhrit të tyre dhe ka tentuar të largohet me mjetin tip "Benz", por u neutralizua dhe u vu në pranga.

Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, iu gjet 1 kartë identiteti shqiptare e dyshuar si e falsifikuar, si dhe në mjet iu gjet 1 thikë dhe 1 sopatë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së  Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik", "Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave" dhe "Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

EMISIONET