Të paktën 25 persona u vranë në një sulm me armë zjarri në një klub nate në Meksikë, ndërsa 11 të tjerë mbetën të plagosur rëndë.

Ngjarja ndodhi në Caballo Blanco (Kali i Bardhë) në Coatzacoalcos, një qytet port në Veracruz, të martën natën.

Të mbijetuarit thanë se agresorët, të cilët besohet se ishin anëtarë të një bande, bllokuan daljet përpara se të hapnin zjarr.

Mediat meksikane raportuan se banda qëlloi drejt barit me armë dhe koktejle molotovi.

Presidenti Andrés Manuel López Obrador tha se sulmi ishte "i turpshëm", dhe se një hetim do të verifikonte sesi disa prej të dyshuarve ishin liruar së fundmi nga paraburgimi.

"Do të ketë një hetim të veçantë nëse ka ndonjë përgjegjësinga autoritetet në lidhje me lirimin e tyre", tha ai.

Guvernatori rajonal Veracruz Cuitláhuac García tha se policia ishte në ndjekje të sulmuesve dhe u zotua se ata "nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar".

Më vonë, ai shtoi se një i dyshuar, i quajtur Ricardo dhe  i njohur si "La Loca" - "I çmenduri" - ishte liruar 48 orë pas arrestimit të tij muajin e kaluar.

Jashtë barit, policia dhe ambulancat mbushën rrugën.

Një grua që qëndronte aty pranë i tha një reporteri të AFP se po kërkonte djalin e saj, si shumë të tjerë atje.

Djali i saj punonte si pastrues në bar dhe ajo tashmë kishte kontrolluar në spitalet lokale.

"Unë thjesht dua të di nëse ai është në rregull," tha ajo.

Dhuna e bandave, e drejtuar shpesh nga tregtia e drogës, nuk është e rrallë në Veracruz, një nga rajonet më të dhunshme në Meksikë.

Është një rrugë popullore për dërgesat e paligjshme të drogës ose trafikimit të qenieve njerëzore të destinuara për Shtetet e Bashkuara - dhe bandat rivale luftojnë për territorin dhe mbizotërimin.

Vitin e kaluar, u gjet një varr masiv i viktimave të kartelit, i cili përmbante kafkat e të paktën 166 personave. Në vitin 2017 u gjet një varr tjetër masiv me 250 viktima në të.

/Ora News.tv/