Masa për policin grek të arrestuar, Prokuroria kërkon "detyrim me paraqitje"

Masa për policin grek të arrestuar, Prokuroria kërkon

Polici grek i arrestuar në aksin rrugor Sarandë-Gjirokastër pritet të dalë sot përpara gjykatës së Sarandës.

Prokuroria kërkon masën e sigurisë 'detyrim me paraqitje' për Marios Gogolos, 33 vjeç. Ai akuzohet për "mbajtje pa leje të armëve të zjarrit".

33 vjeçari me detyrë punonjës policie në Igumenicë dhe banues po në këtë zonë, u arrestua dje (8 dhjetor) rreth orës 09.45, në aksin rrugor Sarandë-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Ura e Kranesë”.

Ky shtetas duke udhëtuar në drejtim të fshatit Bularat, Gjirokastër është kapur në flagrancë  nga shërbimet e policisë me një armë zjarri pa leje, e tipit “pistoletë” me 6 fishekë.

Gjatë ditës së djeshme u zhvillua ceremonia për Kostandinos Kaçifas, u vrarë në fundit të muajit tetor nga Forcat RENEA.

Njoftimi i Prokurorisë: 

Shtetasi Marios Gogolos deklaroi se ishte punonjës policie në Igumenicë dhe në shërbim të deputetit grek Vasiljos Jojakas.

Ky deputet i ka kërkuar Gogolasit të shkonin në Shqipëri së bashku me një mikun e tij.

Rreth orës 08.00 ai ka marrë deputetin në banesën e tij dhe më pas janë nisur në drejtim të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Botë, ku kaluan normalisht kufirin ndërshtetëror.

Në Pikën e Kalimit Kufitar nuk është pyetur nëse kishte armë me vete, duke shtuar njëkohësisht se e kishte marrë padashur atë, gjatë kohës që mori deputetin në banesë.

Njëkohësisht nga mbrojtësi dhe të afërmit e personit nën hetim janë depozituar në prokurori disa dokumente greke të përkthyera në shqip.

Dokumentet i referohen Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit të Greqisë, departamentit përkatës të armëve dhe eksplozivëve që vërtetojnë se Marios Gogolos Oficer Policie, është i pajisur me leje për mbajtjen e armës pistolete me nr. 27A036110 SIGSAUER INC.

Sipas materialeve të shqyrtuara, vleresohet se ka dyshime të arsyeshme se shtetasi Marios Gogolos ka konsumuar elementët e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” të parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal dhe emri i të dyshuarit Gogolos u shënua në regjistrin e njoftimit të veprave penale si person që i atribuohet vepra penale.

Organi procedues duke vleresuar faktin që personi nën hetim është punonjës policie në shtetin grek, disponon leje për mbajtjen e kësaj arme në shtetin grek, në kohën e ndalimit ka qenë i shoqëruar nga një autoritet i lartë shtetëror i këtij shteti, janë të dhena që nuk tregojnë për një rrezikshmëri të lartë të këtij personi dhe për këto arsye nuk ka shkaqe që vënë në rrezik marrjen apo vërtetësinë e provave.

Vlerësohet se masa e sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, është e përshtatshme në raport me masat e tjera të sigurimit personal të parashikuar nga ligji procedurial penal.

Në mbështetje të neneve 228, 229, 234, 258 dhe 259 të K. Pr. Penale, prokuroria Sarandë kërkoi:

 1-Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasit Marios Gogolos, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” të parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.

 2-Caktimin e masës shtrënguese të sigurimit personal “Detyrimi per t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit Marios Gogolos.


EMISIONET