“Marshojmë për jetët tona”, protesta kundër armëve në SHBA

“Marshojmë për jetët tona”, protesta kundër

Mijëra demonstrues u mblodhën të shtunën në Uashington dhe në qytete të tjera amerikane për të kërkuar ligje më të ashpra të armëve pas një incidenti vrasjesh masive që nxiti zemërim dhe aktivizëm politik mes të rinjve anembanë vendit.

"Politikanë, ose përfaqësoni njerëzit ose largohuni", tha Cameron Kasky, një nxënës i mbijetuar i masakrës së 14 shkurtit ku u vranë 17 nxënës dhe anëtarë të personelit të shkollës së mesme Marjory Stoneman Douglas në Parkland të Floridas. Ai gjithashtu i tha turmës në Uashington: "Njerëzit kërkojnë një ligj që ndalon shitjen e armëve sulmuese, njerëzit kërkojnë ndalimin e shitjes së karikatorëve automatikë".

Tubimet "Marshojmë për Jetët Tona", të udhëhequra nga të mbijetuarit e sulmit masivë në Parkland, pritej të tërheqin qindra mijëra njerëz. Grumbullimi kryesor në kryeqytetin e vendit pritej të tërhiqte më shumë se 500,000 njerëz.

Më shumë se 800 marshime të ngjashme u planifikuan në secilin prej 50 shteteve të Shteteve të Bashkuara dhe në mbarë botën.

Organizatorët po kërkojnë që jeta e fëmijëve të jetë një përparësi më e lartë për vendin dhe t'i jepet fund epidemisë së sulmeve të vrasjeve masive në shkollat amerikane.

Organizatorët synojnë të sigurojnë që marshimi i së shtunës në Uashington dhe në vende të tjera, të jenë fillimi i një lëvizjeje politike.

"Sot është vetëm fillimi. Parkland dhe pjesa tjetër e botës janë duke vrapuar, por kjo është vetëm nxehmja. Që nga sot, ne kemi filluar zyrtarisht maratonin tonë që do të zgjasë derisa të bëjmë ndryshimin për politika më të sigurta të armëve".

Shtatëmbëdhjetë vjeçarja Edna Chavez udhëtoi rreth 4,300 kilometra nga Los Anxhelos në Uashington për të "ndikuar në politikat për armët dhe për t'u siguruar që zërat tanë të dëgjohen".

"Unë kam jetuar në jug të Los Anxhelosit gjithë jetën time dhe kam humbur shumë të dashurit ndaj dhunës me armë", tha Chavez. "Kjo është bërë normale, normale deri në pikën që kam mësuar t’u devijojë plumbave para se të mësoja si të lexoja."

Mbrojtësit e të drejtave të armëve janë gjithashtu mes turmave të demonstruesve në Uashington. Një i ri që u identifikua vetëm si "Joe" nga Nju Jorku, i tha Zërit të Amerikës përpara hotelit “Trump International” vetëm pak blloqe larg nga Shtëpia e Bardhë, "Ky marshim është vetëm një reagim emocional për diçka që është shumë tragjike". Ai tha se propozimet për kontrollin e armëve, të tilla si ndalimi i armëve gjysmë automatike si ato të përdorura në Parkland, nuk do të "zvogëlojnë dhunën e armëve, do të heqin vetëm të drejtat e qytetarëve që i binden ligjit".

Presidenti Donald Trump ishte në vendpushimin e tij Mar-a-Lago në Florida gjatë tubimit në Uashington, por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Lindsay Walters tha në një deklaratë: "Ne përshëndesim shumë të rinj amerikanë të guximshëm që ushtrojnë sot të drejtat e Amendamentit të Parë të kushtetutës. Siguria e fëmijëve është një përparësi e lartë e Presidentit, prandaj ai i kërkoi Kongresit të miratojë aktin për ndalimin e dhunës në shkolla”.

Amerikanët kanë hezituar të heqin dorë nga armët dhe ka pasur pak ndryshime në ligjet e armëve në përgjigje të vrasjeve masive.

Një sondazh i ri i kryer nga agjencia Associated Press dhe Qendra për Kërkime të Marrëdhënieve Publike -NORC, tregon megjithatë se kjo tendencë mund të ndryshojë. Sondazhi tregon se 69 për qind e amerikanëve të anketuar mendojnë se ligjet e tanishme të armëve duhet të jenë më strikte, nga 61 për qind në tetor të vitit 2016 dhe 55 për qind në tetor të vitit 2013.

Në përgjithësi, anketimi tregoi se 90 për qind e demokratëve, 50 për qind e republikanëve dhe 54 për qind e pronarëve të armëve tani favorizojnë ligje më të rrepta të kontrollit të armëve.

Por, sipas sondazhit, gati gjysma e amerikanëve, nuk presin që politikanët e tyre të ndërmarrin veprime drejt ndryshimit të ligjeve të armëve.

Nxënësit aktivistë, megjithatë, kanë filluar të përqëndrohen në regjistrimin e votuesve për zgjedhjet e mesmandatit në Kongres që zhvillohen në vjeshtë.

Faqja e internetit “Marshojmë për Jetën Tonë” njofton se ka arritur pothuajse qëllimin e saj për të grumbulluar 3.8 milion dollarë fonde.

Aktori George Clooney dhe bashkëshortja e tij, Amal Clooney, i dhanë organizatorëve të aktivitetit “Marshojmë për Jetët Tona një donacion prej 500,000 dollarë që u pasua me të njëjtën donacion nga aktorja dhe personaliteti televiziv Oprah Winfrey, regjisori Steven Spielberg dhe producenti Jeffrey Katzenberg. Komediania Ellen DeGeneres dhe kompania fotografike Shutterfly njoftoi një donacion të përbashkët prej 50,000 dollarësh. Modelja Chrissy Teigen dhe bashkëshorti i saj muzikant John Legend, premtuan 25,000 dollarë.

Çifti Clooney, komediani Jimmy Kimmel, këngëtarët Ariana Grande, Miley Cyrus, Demi Lovato, dhe Bebe Rexha si dhe aktoret Jennifer Hudson, Sofia Vergara dhe Julie Bowen ishin pjesëmarrëse në marshimin e Uashingtonit./VOA/

EMISIONET