Marrëveshje e re për Iranin

Marrëveshje e re për Iranin

Sekretari amerikan i shtetit Majk Pompeo ka ofruar të bashkëpunojë me udhëheqësit europianë për të negociuar një marrëveshje të re për Iranin, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga pakti bërthamor. Por një qasje krejt të ndryshme ka këshilltari për sigurinë kombëtare Xhon Bolton. Ai i ka rikujtuar firmave europiane që veprojnë në Iran, se ato mund të penalizohen nëse nuk respektojnë sanksionet amerikane.

Shtetet e Bashkuara shpresojnë të arrijnë një marrëveshje të re me aleatët europianë, sa i përket programit bërthamor të Iranit.

Të paktën kjo ka qenë deklarata e sekretarit të shtetit Mike Pompeo në një intervistë për Fox News.

Kryediplomati amerikan gjithashtu sqaroi se vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr nga marrëveshja, nuk ishte goditje ndaj europianëve.

“Kam shpresë se në ditët dhe javët në vijim do të mund të dalim me një akord që vërtet funksionon, që vërtet mbron botën nga sjellja e keqe iraniane, jo vetëm nga programi i tyre bërthamor, por edhe nga raketat dhe sjellja e tyre keqdashëse,” u shpreh Pompeo.

Por një qasje krejt e ndryshme dhe e ashpër vjen nga një tjetër zyrtar amerikan. John Bolton, këshilltari i sigurisë kombëtare paralajmëroi firmat europiane se ata mund të ndëshkohen për mosrespektim të sanksioneve të SHBA-së.

I pyetur nëse Uashingtoni do të vendoste sanksione ndaj firmave europiane, Bolton i tha CNN se gjithçka është e mundur dhe se varet nga sjellja e qeverive.

“Besoj se europianët do ta kuptojnë se është në interesin e tyre të na bashkohen,” shtoi këshilltari.

Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas ka pranuar se do të jetë e vështirë për qeverinë gjermane të mbrojë firmat kur sanksionet amerikane të hyjnë në fuqi. Gjithsesi, fuqitë e mëdha europiane, së bashku me Rusinë dhe Kinën kanë konfirmuar përkushtimin e tyre ndaj marrëveshjes historike të nënshkruar në 2015.

EMISIONET