Gjashtë fitore në 7 takimet e para dhe një lojë mbi normalen. Interi i Antonio Contes është një makineri e cila funksionon thuajse në perfeksion, me zikaltërit që në 9 takimet e para të këtij sezoni ka fituar 6, humbur dy dhe barazuar 1. Gjithsesi, Conten nuk e ngroh organika që ka në dispozicion dhe pritet që janari të jetë periudhë decizive për ekipin e tij.

Sipas "FC InterNews.it", italiani kërkon më shumë alternativa në stolin e rezervave dhe për këtë ka shënjestruar yllin e Manchester United, Nemanja Matic. Serbi shihet si një alternativë luksi nga Conte, që pritet të hidhet në sulm për shërbimet e tij që në merkaton e janarit. 31 vjeçari ka një marrëdhënie të tensionuar me trajnerin, Ole Gunnar Solskjaer dhe nga ky fakt tenton të përfitojë ish-tekniku i Chelsea.

Kontrata e tij do të skadojë në qershor të vitit 2020, megjithëse ekziston një mundësi për ta zgjatur edhe për një vit tjetër. Megjithatë, idea për të luajtur në Seria A dhe me një skuadër si Inter e intrigon Matic, i cili ishte shënjestruar nga drejtori aktual i Interit, Beppe Marotta kur ishte te Juventus dy vjet më parë.

Në atë kohë, Matic zgjodhi të shkonte nga Chelsea te Manchester United për 45 milionë euro. Kjo do të ishte shumë ndryshe, sepse ai do të bashkohej me ish-shefin e Chelsea, Antonio Conte. Kjo do të shtonte edhe "koloninë" e ish-futbollistëve të Manchester United në "Giuseppe Meazza", pasi gjatë verës që lamë pas u transferuan Alexis Sanchez dhe Romelu Lukaku.

/Ora News.tv/