Maas: Gjermania po lufton që bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë shpejt

Maas: Gjermania po lufton që bisedimet e pranimit me Shqipërinë

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ka deklaruar se Gjermania po luftën që bisedimet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë sa më shpejt.

Në një intervistë për Deutsche Welle diplomati gjerman thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë integrale e Europës dhe e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian.

Heiko Maas: Për Gjermaninë është e qartë: Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë integrale e Europës dhe e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian. Një pjesë e konsiderueshme e vendeve të BE, e mbështesin fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse kjo është edhe në interesin tonë strategjik. Por për këtë çështje na duhet unanimiteti brenda BE-së, dhe për të arritur këtë jemi duke punuar. Gjermania është duke luftuar me të gjitha forcat, për të arritur një qëndrim të përbashkët në BE, që bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë shpejt. Unë dua edhe një herë ta bëj këtë gjë të qartë në Shkup.

Për të bindur skeptikët, Maas thotë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë pa ndalur procesin e reformave, në mënyrë që të arrijnë suksese të tjera.

Heiko Maas: Unë dua t'u jap zemër Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si edhe vendeve të tjera të rajonit që të vazhdojnë me konseguencë kursin reformues edhe për një arsye tjetër: Reformat nuk shërbejnë vetëm për afrimin me BE, ato janë të rëndësishme sepse janë në dobi të njerëzve. Forcimi i shtetit të së drejtës, luftimi me vendosmëri i korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar janë detyrat kryesore të çdo qeverie, që do të ardhmen e vendit të vet. Edhe opozita mban përgjegjësi. Konkurrenca politike dhe idetë konkurruese, që janë të zakonshme dhe të domosdoshme në demokraci nuk duhet ta paralizojnë zhvillimin e vendit.

Maas kërkon ngritjen sa më parë të Gjykatës Kushtetuese.

Heiko Maas: E rëndësishme është që tani të gjithë të kontribuojnë që Gjykata Kushtetuese të fillojë pa u vonuar punën. Edhe reformimi i ligjit të zgjedhjeve do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile. Ne jemi të sigurt, se për reformat që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE/ODIHR mund arrihet marrëveshje pa humbur kohë. Parlamenti është vendi ku zhvillohen konfrontimet politike. Tani duhen propozime konstruktive dhe bashkëpunime serioze në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.

EMISIONET