Për veprimtarin e çështjes kombëtare shqiptare dhe ish luftëtarin e UÇK-së Uk Lushi, Lëvizja Vetëvendosje duhet të pranojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për formimin e qeverisë së re.

Uk Lushi: ''Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka marrë një vendim. Në demokraci shpesh herë mund të mos na pëlqejnë vendimet e e organeve të shtetit, mirëpo ato duhet të pranohen. Kjo nuk përjashton faktin që institucionet mund të bëjnë gabime. Unë mendoj dhe shpresoj që Lëvizja Vetëvendosje të pranojë vendimin. Ata kanë të drejtë të kontenstojnë dhe të verifikojnë kushtetueshmërinë dhe të gjitha testet juridike, por gjithmonë duhet të gjendet një zgjidhje që është institucionale dhe shtetërore.''

Në një intervistë për Ora News, ai tha se të gjitha çështjet do të zgjidhen nëse Serbia njeh pavarësinë e Kosovës.

Uk Lushi: ''Me aq sa unë di, nuk bëhet fjalë për një ndarje të Kosovës, për arsye se nëse preket territori i Kosovës do të preket edhe territori i Serbisë. Nuk e di a do të ketë shkëmbim, sepse zgjidhja e problemeve të Kosovës me Serbinë varet nga këto shtete. Qëllimi i përfundimit i të gjitha çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë, është njohja e Kosovës shtet i pavarur, sovran dhe i cili do ta ketë të drejtën të vendendosë.''

/Ora News.tv/