Loja ping-pong me idenë për heqjen e kufirit Kosovë-Shqipëri

Loja ping-pong me idenë për heqjen e kufirit Kosovë-Shqipëri

Heqja e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nga udhëheqësit e institucioneve të të dyja shteteve, ishte paralajmëruar me një pompozitet mjaft të madh.

Por, në praktikë, të dy qeveritë më shumë kanë hedhur topin në fushën e njëra tjetrës për veprimet që duhen ndërmarrë. Përderisa njohësit e çështjeve ekonomike, këtë nismë e shohin më shumë si populiste dhe për nevoja të politikës ditore.

Së fundmi, ishte presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ai i cili në emër të institucioneve të Kosovës tha se autoritetet e Kosovës janë të gatshme menjëherë për nxjerrjen e një vendimi që mundëson heqjen e kufirit Kosovë – Shqipëri.

“Do të ishte mrekulli që viti 2020 të fillojë me vendimin për heqjen e kufirit dhe doganës mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, për çka e ftoj mikun tim kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama që të merr këtë vendim”, ka thënë Thaçi në një konferencë për media.

Qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë vazhdojnë t’u nënshtrohen kontrolleve në pikat kufitare që lidhë këto dy shtete.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se deklaratat e vazhdueshme të liderëve të dy shteteve për heqje të kufirit janë populiste, të cilat, sipas tij, nuk janë koherente në rrugëtimin drejt familjes evropiane.

“Duhet të kuptohet që rruga e Kosovës është partneriteti me shtetet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është zbatimi i të gjitha normave dhe kushteve që parasheh CEFTA dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe eliminimi i barrierave duhet të jetë cak i qëllimeve edhe për presidentin, por edhe të tjerët, pasi që nuk mund të bisedohet për integrim evropian nëse humbim kohë duke prodhuar barriera për lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve dhe në këtë drejtim duhet të jetë fokusi”, thotë Gërxhaliu.

Për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, ishin investuar miliarda euro në infrastrukturë rrugore. Të dy vendet kanë ndërtuar edhe rrugë, apo autostrada që i lidhin më lehtë të dy shtetet.

Ndërkohë, qeveritë e të dy vendeve kanë të nënshkruara shumë marrëveshje, të cilat si nga Prishtina ashtu edhe nga Tirana ishin prezantuar se kanë si qëllim të eliminojnë barrierat në mes dy shteteve. Por, në praktikë, sipas Gërxhaliut, shumë prej këtyre marrëveshjeve nuk zbatohen dhe bizneset janë ato të cilat në vazhdimësi janë ankuar për procedura burokratike.

“Shprehja e guximit politik, nënkupton kur të bëhen hapa konkretë në eliminimin e barrierave, në eliminimin e krimit të organizuar dhe krijimi i një qasjeje më proaktive për të zbatuar marrëveshjet e nënshkruara të cilat kanë mbetur në letër. Bashkëpunimi ekonomik duhet të lirohet nga politika, duhet të lirohet nga patriotizmi folklorik, nga emocionet. Në këtë drejtim, nuk duhet të ndërtojmë bashkëpunim ekonomik në populizëm, por në interes dhe fizbilietet në të dyja palët”, thotë Gërxhaliu.

Heqja e kufirit Kosovë – Shqipëri e premtuar vite me parë, tani duket të jetë edhe më e komplikuar, pasi që për një vendim të tillë nga Prishtina dhe Tirana, për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama kërkohet një marrëveshje rajonale.

Por, opinionisti nga Tirana, Armand Shkullaku në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se çështja e kufirit Kosovë - Shqipëri mund të arrihet mes dy shteteve, pa pasur marrëveshje edhe me vendet tjera të rajonit.

“Nuk mund të përjashtohet Serbia nëse bëhet fjalë për një marrëveshje rajonale, por unë mendoj se për të arritur një objektiv të parë të tillë, fillimisht na duhet një marrëveshje midis Shqipërisë dhe Kosovës. Serbia ka një rol dhe duhet të ketë një rol sa i përket marrëveshjeve të reja që mund të arrihen në rajon, por më parë duhet të kemi një marrëveshje Tiranë – Prishtinë, e pastaj me një mendim të unifikuar mund të paraqitemi në çdo lloj projekti apo plani tjetër që mendohet për Ballkanin”, thotë Shkullaku.

Për presidentin e Kosovës Hashim Thaçi është absurditet që të kërkohet pajtimi i Serbisë për vendimet që mund t’i marrin dy shtetet, Kosova dhe Shqipëria.

“Një vendim i tillë për heqjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të duartrokitet në vendet që nuk e duan të ardhmen e përbashkët të dy shteteve dhe orientimit tonë apo tek kërcënimet boshe që mund të vinë për këtë akt nga Bashkimi Evropian plotësisht i lodhur dhe i paaftë për vendime strategjike për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Thaçi./REL/

EMISIONET