"Limit", arrestohet një tjetër anëtar i grupeve kriminale/Emri

"Limit", arrestohet një tjetër anëtar i grupeve

Shkon në 58 numri i të ndaluarve  në kuadër të megaoperacionit policor të koduar "Limit".

Në pranga ka rënë H. S., 65 vjeç, banues në Korçë, pjesëtar i një prej katër grupeve të strukturuara kriminale, të shkatërruara më herët gjatë operacionit.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg“, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Nga ana e policisë vijon puna për kapjen e 7 personave të tjerë të shpallur në kërkim.

Operacioni u finalizua pas një hetimi 3-vjeçar, për goditjen e veprimtarisë kriminale të këtyre grupeve që ushtronin veprimtarinë në fushën e narkotikëve dhe të trafiqeve të paligjshme.

Ky operacion u ndërmor nga Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë Greke dhe me koordinimin e SELEC-ut.

Gjatë operacionit në Shqipëri dhe Greqi u sekuestruan rreth 320 kg kanabis, 7.5 kg Kanabis në formë çokollate,  2.4 kg Kokainë, laboratorë për kultivim të bimëve narkotike, 3800 fara kanabis, fishekë luftarakë, si dhe janë asgjësuar parcela me bimë narkotike të kultivuara.

Gjatë periudhës së hetimit 2016 - 2019, është shkëmbyer në kohë reale informacion me partnerët tanë nëpërmjet SELEC-ut për aktivitetin kriminal të personave të përfshirë në këto grupe kriminale dhe si rezultat, nga autoritetet policore greke janë arrestuar 34 persona, të cilët ushtronin aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes të narkotikëve.

Ndërsa gjatë operacionit "Limit" të zhvilluar në Shqipëri, u arrestuan 23 persona dhe 8 u shpallën në kërkim, njëri prej të cilëve u kap mëngjesin e sotëm nga Policia e Shtetit.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të këtyre grupeve të strukturuara kriminale, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e anëtarëve të tjerë të përfshirë.

EMISIONET