Ligji për t'u dhënë nënshtetësinë e minoriteteve të përndjekura në Indi, por jo emigrantëve myslimanëve, nxori sërish protestuesit në qytete të ndryshme të vendit. Në një kampus universitar, policia sulmoi dhe shpërndau studentët me dhunë, duke lënë disa të plagosur nga të dyja palët.

Më shumë se 100 studentë janë plagosur nga policia indiane, duke protestuar kundër ligjit për nënshtetësinë e minoriteteve fetare.

Forcat e rendit në Nju-Delhi hynë me forcë në kampusin e një universiteti mysliman duke qëlluar me gaz lotsjellës e me shkopa gome studentët që strehoheshin në librari.

Sipas policisë, mësymja e tyre u provokua nga goditja me gurë nga përbrenda ambienteve, ndërsa universiteti sqaroi se hyrja ishte e paautorizuar.

"Po të ishte lëvizje paqësore, do të ishte shpërndarë paqësisht. Por kjo nuk ndodhi dhe u dëmtua prona publike. Interesi ynë është t'i zmbrapsim dhe të rivendosim ligjin dhe rendin. Nuk e kemi problemin me studentët," deklaroi zëvendësshefi i policisë kryeqytetase.

Demonstratat në qytete të ndryshme të Indisë kanë hyrë në ditën e pestë, duke u shoqëruar me djegien e disa autobusëve dhe motoçikletave të rastësishme.

Shkak është bërë një ligj i qeverisë së kryeministrit Narendra Modi, që parashikon dhënien e nënshtetësisë indiane për minoritetet fetare të persekutuara si hindutë, budistët dhe të krishterët në shtetet si Bangladeshi, Pakistani dhe Afganistani.

Kritikët thonë se ligji diskriminon dhe vë në pozitë më të ulët emigrantët myslimanë, duke u mohuar atyre të njëjtën të drejtë në rastet e përndjekjes.



/Ora News.tv/