Shqipëria bën gati bazën ligjore për përdorimin e monedhave virtuale. Ministria e Financave ka hedhur për konsultim draftin që parashikon rregullimin e këtij tregu. Në projektligj parashikohen  penalite në rastet e abuzimeve që variojnë nga 12 në 18 mln lekë. Ndërsa për hapjen e një burse virtuale përcaktohet që kapitali i nevojshëm të variojë  nga 20 mln lekë në 90 mln lekë në varësi të llojit të licencës.

Shqipëria është një ndër vendet e para në rajon dhe Europë që përgatit një  projekltigj për monedhat vitruale. Në draftin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” e hedhur për konsultim janë të përcaktuara penalitet dhe masat për rregullimin e këtij tregu.

Në projektligj adresohen edhe  një sërë rreziqesh të mundshme siç janë, krijimi i skemave mashtruese apo rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut. Gjithashtu në draft parashikohet vendosje e sanksioneve të rënda administrative dhe penale në rastet e abuzimit që variojnë nga 12 milion lekë deri në 18 milion lekë si gjobë administrative dhe referim tek Kodi Penal, në rast të veprave penale. 

Po ashtu parashikohet ndalimi i  kryerjes së aktivitetit të kujdestarit të palëve të treta pa autorizim  si dhe i jepet kompetenca ekskluzive Autoritetit për bllokimin e llogarive për këdo që dyshohet se kryen mashtrim apo abuzim me tregun.

Kapitali i nevojshëm  për hapjen e një burse varion nga 20 milion lekë në 90 milion lekë në varësi të llojit të licencës së Bursës. Sipas relacionit rregullimi i këtij tregu në Shqipëri synon të ndryshojë rrënjësisht strukturën e operimit  të remitancave. Me një fluks hyrës prej 1.2 miliardë eurosh në vitin 2018, remitancat mbeten një nga kontribuesit kryesorë në zhvillimin ekonomik të vendit, duke tejkaluar fluksin hyrës të investimeve të huaja direkte.

Nga ana tjetër, një studim i Bankës së Shqipërisë vëren se kostot e lidhura me dërgimin e remitancave variojnë nga 5 – 24 % të shumës totale të dërguar, me një mesatare prej 8,64%, duke bërë kështu që pjesa më e madhe e remitancave të transferohet në rrugë joformale.

Aktualisht, tregu global i aktiveve virtuale arrin në rreth 130 miliardë USD, në terma kapitalizimi, si dhe përfshin rreth 2000 aktive virtuale të ndryshme. Duke qënë se në shumicën e vendeve aktiviteti i lidhur me aktivet virtuale është i parrelluguar, ESMA ka shprehur shqetësimin e saj për rastet të shumta mashtrimi nëpërmjet emetimit dhe tregtimit të këtyre aktiveve virtuale.

/Ora News.tv/