Letra e nënës në Kuvend: Ilaçi turk që futët në listën e rimbursimit po më vret djalin e dytë

Deputeti i PD-së Bardh Spahia ka publikuar një letër që një nënë e cila ka humbur djalin e saj me virusin H/B i drejtohet Komisionit të Shëndetësisë lidhur me fatin e djalit të vetëm që i ka mbetur

"U detyrova të shkruaj se jam në udhëkryq për shëndetin e djalit tim të vetëm që më ka mbetur!” shkruan gruaja nga Tirana dhe rrëfen shqetësimin e saj

Djali mjekohet me kartelë spitalore prej rreth 5 vjetësh por se tani shëndeti i tij është duke u rrezikuar për shkak të ndryshimit të ligjit i cili bëri që ilaçi  (VIREAD) u rendit si alternativë e fundit me çmimin më të shtrenjtë prej 21.300 lekë të reja/muaj, e pa përballueshme për një kryefamiljar që paguhet 22.000 lekë të reja në muaj. Ndërkohë që ilaç turk nuk i bën efekt.

Postimin e tij deputeti demokrat, Bardh Spahia e shoqëron me komentin “kjo është pasqyra më e qartë e pseudo shëndetësisë falas dhe politikave sociale të kësaj mazhorance”.


LETRA E PLOTË
Letër Parlamentit të Shqipërisë

Komisionit të Ligjeve për Shëndetësinë

Të nderuar deputetë të këtij komisioni:

U detyrova të shkruaj se jam në udhëkryq për shëndetin e djalit tim të vetëm që më ka mbetur!

Djali vuan nga H/B dhe sipas ligjit në fuqi mjekohet me kartelë spitalore prej rreth 5 vjetësh. Mjekimi ka ecur mirë deri në muajin maj 2018 pasi në këtë muaj hyri në fuqi lista e re e rimbursimit të barnave, në të cilën ilaçi (VIREAD) u rendit si alternativë e fundit me çmimin më të shtrenjtë prej 21.300 lekë të reja/muaj, e pa përballueshme për një kryefamiljar që paguhet 22.000 lekë të reja në muaj. E them këtë sepse alternativa e ilaçit turk nuk i bën efekt, e provuar 6 muaj në vitin 2015.

Mjekët dhe fondi i barnave me të cilët kam kontaktuar disa herë në të gjitha institucionet edhe me portalin e bashkëqeverisjes më janë përgjigjur që ky është ligji. Alternativa falas dhe me bashkë pagesë siç e theksova dhe më lart nuk bëjnë efekt, alternativë europiane nuk ka përveç viread-it që kushton shtrenjtë.

Për sqarim: Në vitin 2013-2014 ky ilaç është marrë falas (VIREAD-i). Në 2015 është marrë me 7.500 lekë të reja. 2016 me 10 000 lekë të reja deri në 2017 me 5.400 lekë të reja dhe në maj të 2018 me 21.300 lekë të reja. Përveç ilaçeve problem janë dhe analizat. Dy analiza 6-mujore dhe 1-vjetore kushtojnë 23.000 lekë të reja pasi nuk bëhen në spitale shtetërore dhe janë të detyrueshme për të marrë mjekimin. Ligji na thonë se është evropian. Mjekimi na imponohet aziatik.

I kërkoj këtij komisioni si nënë e një djali të vetëm, e cila ka humbur një djalë nga H/B duke mos u mjekuar, të rishikohet ky ligj dhe të ketë klauzola për raste të veçantë, si në rastet e djalit tim që nuk i bën efekt ilaçi turk. Sigurisht kjo kërkon sugjerimin e mjekut në mënyrë që djali im mos të mbetet pa mjekimin e duhur se ky virus prodhon kancerin e mëlçisë.

Ishte bërë progres në 2017 që Viread-i u bë 5.400 lekë të reja në muaj, pse u kthye mbrapsht duke mos futur asnjë alternativë evropiane në mjekim?

Ju lutem lexojeni këtë letër dhe mendoni sikur ky hall të ishte i juaji. Për çdo paqartësi jam në dispozicion.

Mbetem me shpresë për të marrë një përgjigje nga ju.

Suzana Mehmeti

EMISIONET