Largohet Panucci, Duka takim sekret me trajnerin italian

Largohet Panucci, Duka takim sekret me trajnerin italian

Kush do të jetë pasuesi? Kjo është pyetja që mbizotëron në arenën e futbollit shqiptar pas shkarkimit të trajnerit të kombëtares shqiptare, Christian Panucci.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka vendosur përkohësisht në krye të stolit Sulejman Memën dhe Ervin Bulkun, të cilët do të drejtojnë skuadrën kuqezi në ndeshjen me Andorrën.

Njëkohësisht, kreu i Federatës është vënë në lëvizje për gjetur "timonierin" e ri të kombëtares. Emri më i përfolur i momentit është ai i Edoardo Reja. Ish-trajneri i skuadrave italiane si Lazio, Napoli dhe Atalanta shihet si pasuesi ideal i Panuccit në krye të stolit kuqezi. Reja ishte prezent në shkallët e "Loro Boriçit" gjatë ndeshjes së Shqipërisë dhe Turqisë dhe pas disfatës 2-0 zhvilloi edhe një takim sekret me numrin 1 të FSHF-së, Armand Duka.

Nuk dihet ende se çfarë është folur në atë takim, edhe pse të dy palët kanë mohuar zërat se mes tyre kishte biseda për një bashkëpunim në të ardhmen. Gjithsesi, alternativa e Reja vjen sërish nga Italia dhe më konkretisht është emri i Di Canio. Ish-trajneri i Torinos është prej kohësh pa ekip dhe stoli i kuqezinjve mund ta bind që të rikthehet në punë.

EMISIONET