“Lahuta e Malcis” e Homerit shqiptar, at Gjergj Fishta tashmë ligjëron edhe në gjuhën frënge. Botimi voluminoz u prezantua për artëdashësit shkodran në biblioteken “Marin Barleti”, ndërsa përkthimi i kësaj vepre është kryer nga sociologu dhe historiani shqiptaro-francez Abidin Krasniqi.

Nuk ka qënë një punë e lehtë për autorin, duke patur parasysh që vepra përshkruan luftërat e dy brezave dhe këngët e saj tregojnë ngjarje të veçanta.

Abidin Krasniqi, përkthyes: Gjuhën pjesërisht e kam ditur, pastaj ka pasur vështirësi, por fjalorët më kanë ndihmuar për fjalët e rralla që Fishta përdor në Lahutë.

Studiuesi Frano Kulli e quan ngjarje të rëndësishme, sepse lahuta pas botimit të saj në Gjermanisht, Italisht dhe Anglisht, tashmë edhe në gjuhën frënge, është një vlerë e shtuar për historinë kombëtare.

Frano Kulli, studiues: Është një event i rëndësishëm i cili i shton potencën për rrethanat aktuale.

"Lahuta e Malcis" konsiderohet si kryevepra e Át Gjergj Fishtës të cilën autori filloi ta shkruante nga viti 1905 duke e përfunduar në vitin 1937.

Të mos harrojmë: më 1958 "Lahuta..." ishte përkthyer gjermanisht nga albanologu austriak Maksimilian Lambertz. U përkthye disa herë italisht, duke nisur nga imzot Jul Bonati. E pastaj nga Ernest Koliqi, që deshi ta realizonte plotësisht, por u ndal vetëm tek disa këngë. Disa vite më parë (2008), përkthimin në anglisht të Epopesë Shqiptare, e bëri albanologu i njohur, i ndjeri Robert Elsie dhe Janie Mathie -Heck, sponsorizuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

/Ora News.tv/