Kuzhinieri i njohur humb 12 kg në tre muaj, tregon si i'a doli

Edhe pse çështjet e biznesit kohëve të fundit nuk po ecin shumë mirë, Jamie Oliver, mbetet një prej kuzhinierëve më popullorë në botë.

Ndonëse i lindur në Britaninë e Madhe, tregon se ka një shpirt italian dhe këtë gjë e tregon hapur edhe me gatimet e tij. Gjatë muajve të fundit, për shkak të një sërë problemeve ekonomike, kuzhinieri britanik, nisi të shtonte ndjeshëm në peshë, duke mos u shfaqur aspak në formë.

44-vjeçari Jamie Oliver, i'u dedikua recetave vegjetariane, duke moderuar një program televiziv ekskluzivisht për pjatat pa mish. Pikërisht në sajë të një diete vegane dhe jo vetëm, Jamie Oliver brenda tre muajve, arriti që të humbë 12 kilogramë.

"Kur mbush 40 vjeç, mendon se ke ende shumë kohë përpara, por në të vërtetë kohën e ke kundër. Dua të jetoj sa më shumë që të jetë e mundur, por duhet ti bësh gjërat në një farë mënyre. Për këtë arsye kam ndryshuar shumë: kam reduktuar ndjeshëm konsumin e mishit dhe kam shtuar perimet, si dhe kam nisur të fle më shumë dhe të praktikoj më shumë aktivitet fizik", deklaroi kuzhinieri në një intervistë televizive.

Jamie Oliver ilustroi më tej disa sekrete të vogla të dietës së tij, "Konsumi i algave është shumë i nevojshëm, për shkak të vlerave ushqyese. Një vakt i ndërmjetëm ideal janë frutat e thata, të cilat ngopin dhe i bëjnë mirë aparatit kardiovaskular".

Lidhur me alkoolin thotë se më parë pinte çdo ditë, edhe pse pa e tepruar, por se tashmë kthen vetëm ndonjë gotë, rrallë në fundjavë.

EMISIONET