Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhje Demokratike e Kosovës pas një takimi të mbajtur të enjten kanë rënë dakort për fillimin e bisedimeve për krijimin koalicionit qeverisës.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tha se janë dakordësuar që të qeverisin bashkë me LDK-në.

“Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta. Pa humbur kohë ne kemi filluar bisedimet duke nisur me idenë e përbashkët për një qeverisë sa më efikase dhe një shtet sa më të fuqishëm, synimi jonë është që t’i dalim zot nevojave të qytetarëve dhe ta orientojmë shtetin nga drejtësia, zhvillimi”, tha Kurti.

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani, shtoi se te dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë.

“Sapo zhvilluam takimin tonë të parë me LVV-në për të diskutuar mundësitë e bashkë qeverisjes. Sot kemi diskutuar në nivel të parimeve jo të detajeve më e rëndësishmja se të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë dhe vullnetin e mirë për të punuar në interes të qytetarëve”, tha Osmani.

Para nisjes së këtij takimi, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në bazë të rezultatit të zgjedhjeve pritet të jetë mandatari i ardhshëm për kryeministër të Kosovës u shpreh para medieve se ky është fillimi i qeverisë së re.

“Ky është fillimi i Qeverisë së re, po punojmë për koalicion qeveritar që do ta çkapë shtetin nga e keqja”, tha Kurti.

Ndryshe nga e kaluara, kur pas zgjedhjeve parlamentare ishin shënuar vonesa të theksuara në konstituimin e institucioneve qendrore, duke iu referuar zgjedhjeve të fundit të 6 tetorit, analistët politikë në Prishtinë nuk parashikojnë se do të ketë vonesa të mëdha.

Bazuar në rezultatin preliminar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të cilat kanë fituar më së shumti vota, pretendojnë që të krijojnë së bashku qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Në zgjedhjet e fundit, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani janë parë si dy figurat kryesore për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.  /REL/



/Ora News.tv/