Kurti kryeministër, çfarë ka premtuar për 100 ditët e para-Ndërkallje e 360 gradë

Kurti kryeministër, çfarë ka premtuar për 100 ditët e

Pas 23 vitesh opozitarizëm të fortë, mëngjesin e 4 shkurtit, Albin Kurti zhvilloi mbledhjen e parë të qeverisë te drejtuar prej tij.

Ai i është drejtuar kabinetit qeveritar me një fjalim ndryshe, ku ka folur për 100 ditët e para të qeverisë dhe angazhimin maksimal që duhet të kenë anëtarët e kabinetit.

“100 ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim e përkushtim maksimal. Karriget i kemi, por jam i bindur se më shumë do të rrimë në këmbë për shkak të punëve të shumta që na presin", u tha Albin Kurti ministrave të kabinetit.

Përveç angazhimeve të shprehura më herët si lufta ndaj korrupsionit, monopoleve të oligarkëve, çlirimit të biznesit, krijimit të fondit sovran dhe bankës zhvillimore, kryeministri Albin Kurti është angazhuar për të çuar buxhetin e Kosovës në 3 milardë euro.

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti u angazhua për kryerjen e Vetingut në polici, prokurori, gjyqësor, si dhe për miratimin e ligjit për kontrollin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Shërbimi Ushtarak tha Kurti, do të bëhet i detyrueshëm, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të vendeve të NATO-s.

Ai gjithashtu u angazhua për miratimin e ligjit për krimet e luftës.

Sipas tij, do të përgatitet padia kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e kryera në Kosovë.

Por Kurti nuk harroi të nënvizonte disa angazhime prej militanti të së majtës.

“Kjo qeveri do të synojë të kthejë sensin e barazisë në shoqëri”, tha Kurti. Ai foli edhe për të drejtat e punëtorëve.

“Do të jemi qeveri për mbrojtjen e punëtorit. Do të promovojmë punën 8 orë në ditë – 40 orë në javë".

E këtë qasje të tij, Albin Kurti e ka reflektuar edhe në vendimin e marrë prej tij si kryeministrër, duke shfuqizuar vendimin e vitit 2017 të parardhësit të tij Ramush Haradinaj, për rritjen e pagave.

Albin Kurti i ka ulur rrogën vetes së tij, ministrave, zëvendësministrave dhe shumë zyrtarëve të tjerë të lartë.

Kjo do të thotë se me vendimin e ri paga e Albin Kurtit llogaritet në rreth 1450 euro.

Por nga ky vendim i qeverisë, nuk preken pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve.




EMISIONET