Në prezantimin e 100 ditëve të kabinetit të qeverisë në Kosovë, Albin Kurti ka theksuar se zgjidhja më e mirë për vendin janë zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen me masa mbrojtëse ndaj koronavirusit. Dhe një herë ai ka akuzuar presidentin Thaçi për krizën politike

“Është për keqardhje dhe turp trajtimi që i është bërë kësaj qeverie nga presidenti dhe regjimi I vjetër në këto 100 ditë. Për fatin e keq nga këto veprime më së paku kam humbur unë, por më së shumti ka humbur shteti. Unë parapëlqej të humbas vet, e jo shteti. Kurse këta shtetin e japin por humbjen nuk e pranojnë. Por ja që kanë humbur, por një gjë është e qartë si kristali në këto 100 ditë ç’kapja e shtetit ka filluar dhe nuk do të ndalet. Unë tashmë e kam sqaruar se rruga përpara janë zgjedhjet e reja me masa mbrojtëse. Tash ka edhe parti tjera që po e kërkojnë të njëjtën gjë. Qeveria është në detyrë dhe do të vazhdojë deri në zgjedhjet e reja”, tha ai.

Madje, ai thekson se si kurrë më parë janë bërë bashkë përfaqësues sipas tij të regjimit të vjetër.

“Pas gati 15 vite të qëndrimit në opozitë ende ma i pas 50 ditë pune si subjekt fituese i zgjedhjeve na u bën bashkë i gjithë regjimi i vjetër që kishte qeverisur për 20 vite në Kosovë, vetëm për të rrëzuar një kryeministër dhe një qeveri që nga çdo parametër është treguar e suksesshme. Duke përfshirë edhe menaxhimin e pandemisë. Pse gjithë ky inat, pse gjithë kjo nguti për të marrë ulësen e kryeministrit përmes presidentit të cilën unë e kam fituar me votën e lirë të qytetarëve. Pse gjithë ky marshim dhe urrejtje ndaj një kryeministri dhe një qeverie që ka punuar mirë dhe drejt" u shpreh Kurti.

Por Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, përfaqësuese e LDK-së nuk është në të njëjtin mendim me Kurtin.

“Për ne si ministra të LDK-së, ka qenë periudhë e vështire pas mocionit të mosbesimit. Ju të gjithë e dini se pasi ka rënë Qeveria ne kemi kërku nga partia të lirohem nga këto pozita, mirëpo na është kërku nga kryetari Isa Mustafa, që ne në kohë pandemie të vazhdojmë punën aty ku jemi, dhe të mos bëjmë politikë. Jemi munduar të japim maksimumin. Nuk mendoj se mund të konsiderohemi të suksesshëm nëse sipas jush i takojmë regjimit e një partie politike që qenka në mbrojte e së keqes e korrupsionit, na lejoni që të vazhdojmë punën siç e kemi bërë dhe të punojmë sipas ligjit, ashtu si kemi bërë nga dita e parë.”

Tashmë çështja e qeverisë në Kosovë është në dorën e gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të vlerësojë nëse Abdullah Hoti do të mbajë mandatin e Kryeministrit apo vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

/Ora News.tv/