Kreut të  Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kryeministrit  Edi Rama iu desh  një televizion italian që të përballen vizualisht me njëri-tjetrin për krizën politike që po kalon Shqipëria.

Në emisionin "Porta a Porta" të gazetarit Bruno Vespa Rama ishte i ftuar në studio, teksa u shfaq dhe një intervistë e realizuar me liderin opozitar Basha më herët në Tiranë.

Basha bëri përgjegjës kryeministrin për dy probleme të rënda që sipas tij po kalon vendi, demokracinë dhe kriminalitetin.

Sipas kreut të opozitës, me paratë e drogës janë blerë media, gazetarë, policë e pushtet, teksa nuk la pa përmendur edhe ish-ministrat e Brendshëm Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj.

Basha: Shqipëria ka dy probleme të rënda, një me demokracinë dhe një me kriminalitetin. Pesë vite më parë, Shqipëria u bë prodhuesi dhe eksportuesi numër një i kanabisit. Me paratë e kanabisit, u kalua në trafikun e heroinës dhe kokainës. Dhe me milionat e fituara nga trafiqet e drogave të forta u blenë zgjedhjet, u blenë policët, drejtësia, media, pjesë të mëdha të ekonomisë private dhe të aktivitetit ekonomik publik.

Dy muaj më parë, media ndërkombëtare publikoi përgjimet zyrtare të drejtësisë shqiptare, ku funksionarë të lartë të Partisë Socialiste, janë përgjuar në bashkëpunim me krerë mafiozë për të blerë vota dhe për të frikësuar opozitën në zgjedhjet e kaluara. Për katër vite, 

Shqipëria ka pasur ministër të Brendshëm, Saimir Tahirin, që tani ndodhet nën akuzë zyrtare për trafikim ndërkombëtar të drogës shkaktuar nga një hetim i Prokurorisë së antimafias së Katanias. Ndërsa për sa i përket pasuesit të tij, Fatmir Xhafa, drejtësia italiane ka dënuar vëllain e tij me shtatë vite burg si anëtar të një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës.

Në përgjigje të këtyre akuzave, Rama iu referua të dhënave të Guardia di Finanzës kur tha se kanabisi në Shqipëri është një histori e mbyllur.

Vespa: Zoti kryeministër këtu ka tre pika. Në një ju thoni se jeni krejtësisht të lirë, ndërkohë që flitet për median ndërkombëtare, besoj se i referohet një hetimi të së përditshmes angleze “The Indipendet”, të cilës i keni kthyer përgjigje, për më tepër, ku paraqitej Shqipëria si Kolumbia e Europës. Madje një shtrirje masive të kultivimit të kanabisit. Pra mes zero dhe Kolumbisë së Europës, ka diçka të mesme.

Rama: Unë nuk flas kurrë për kundërshtarët e mi në një gjuhë të ndryshme nga ajo e nënës, sepse aty kemi mjaftueshëm. Po ju përgjigjem juve. Unë sigurisht jam i anshëm, pra nëse them diçka, ajo është e njëanshme. Por, këtu jemi në një vend ku ka dy detaje të rëndësishme për të folur për të vërtetën. “Guardia di Finanza” që është një agjenci e madhe, me integritet të padiskutueshëm. Që paguhet nga komuniteti europian. 

Që ka ngritur avionët dhe fotografon territorin që nga viti 2012. Faktet tregojnë një realitet krejtësisht të ndryshëm, pra në vitin 2013 kur ne erdhëm në qeveri, ishin rreth 400 hektarë me plantacione ndërsa në vitin 2018, 0,8 hektarë. Pra gati asgjë. Së dyti, u fol për prokurorinë e antimafias së Katanias. Dhe praktikisht ajo prokurori bëri një hetim mbi një grup trafikantësh shqiptaro-italianë, ku përfshihej në përgjime një prej ministrave tanë të Brendshëm, dhe në fund, e zezë mbi të bardhë, tha se nuk ka lidhje ministri i Brendshëm. Pra janë dy burime zyrtare italiane. I them për të mos hyrë në një debat politik që nuk shërben për asgjë.

Vespa: Diçka që nuk e tha shefi i opozitës, po jua kujtoj unë. Pasi u zhvilluan zgjedhjet, vëzhguesit e OSBE-së, ju e dini se kanë thënë që ka pasur rreth 20%…

Rama: Jo jo, nuk është kështu. Në radhë të parë dua të them, që pikërisht për të pasur zgjedhje, që më në fund do të thyenin me traditën e kontestimit pas kontestimit. Nuk është se jemi humbës të mirë ne në përgjithësi, as këtu në Itali nuk jeni. Bëmë një marrëveshje. Unë i thashë mikut tim, liderit të opozitës, çfarë do? Ministrin e Brendshëm mirë, ministrin e Financave, ministrin e Arsimit, ministrin e Shëndetësisë, pra gjysma e qeverisë ishte e opozitës. Para dhe gjatë zgjedhjeve. Për herë të parë maxhoranca e KQZ ishte e opozitës.

Për herë të parë, në të gjitha qendrat e numërimit ku ka 50% opozitë dhe 50% qeveri, nuk ka pasur asnjë debat dhe të gjithë firmosën rezultatin. Për herë të parë, Kolegji Elektoral, që është një lloji gjykate elektorale, u pagua pa bërë punë, sepse nuk pati asnjë kërkesë nga asnjë parti. Zgjedhjet u njohën nga të gjithë. Ndërsa unë në këtë marrëveshje kisha vendosur dy kushte, fituesi qeveris, humbësi bën opozitën dhe nuk flitet keq për Shqipërinë në gjuhë të huaj. 

Sepse nuk është bukur, gjithë kjo audiencë kërkon të dijë për vendin, do të dijë për sfida, sigurisht që ka shumë gjëra për të bërë dhe tani, sikur të mos dëgjojë mjaftueshëm politikanët italianë, duhet të më dëgjojë edhe mua dhe atë tjetrin të grindemi këtu. Nuk shkon, sepse në fund çfarë thonë, këta këtu janë më keq se tanët. Jo nuk jemi më keq, jemi njësoj. Jemi njësoj me tuajt.

/Ora News.tv/