"Kupa e Botës po vjen në Ballkan!" Rama ngushëllon i pari May për humbjen e Anglisë

Gjysëmfinalja e Kampionatit Botëror të Futbollit mes Anglisë dhe Kroacisë që u luajt mbrëmë në Rusi  u ka shërbyer edhe udhëheqësve botërorë për tu shtensionuar pas një dite të gjatë debati në Samitin e NATO-s në Bruksel.

Kryeministrja e Anglisë, kancelarja Merkel, Presidenti dhe Ministri i Jashtëm turk dhe kryeministri Rama e kanë ndjekur minutën e fundit të ndeshjes përmes telefonit.

Pas përfundimit të ndeshjes, Rama ka ngushëlluar kryeministren britanike me batutën ironike “Po vjen në shtëpi”.

“Kupa e Botës po vjen në Ballkanin Perëndimor, e bëtë diçka për Ballkanin Perëndimor”, tha duke qeshur ai dhe duke marrë “falënderimet” nga May.

Pak minuta më vonë Rama ka postuar dhe një foto me Presidenten e Kroacisë, ku të dy ndajnë gëzimin për fitoren e skuadrës ballkanike.

Kroacia do të luajë për herë të parë në historinë e saj një finale Botërori, pasi mundi në kohën shtesë Anglinë me rezultatin 2-1.

Të dielën, në orën 17:00, Kroacia dhe Franca do të përballen në finalen e madhe. Anglia dhe Belgjika do të luajnë finalen e vogël të shtunën, në orën 16:00.

EMISIONET