I pranishëm në Samitin e 8-të të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore, Juglindore dhe Republikës Popullore të Kinës, që po mbahet në Kroaci, Kryeministri Rama zhvilloi takime me homologun grek Aleksis Tsipras, dhe atë kinez. Çështja e kufirit mes dy vendeve dhe sfidat e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit ishin temat që u diskutuan me kryeministrin grek. Ndërkohë, kreu i qeverisë shqiptare kërkon nga Kina përshpejtim të procedurave për futjen e produkteve shqiptare, dhe heqjen e vizave mes dy vendeve.

Pak ditë pasi zhvilluan një bisedë telefonike, Kryeministrat Rama dhe Tsipras janë takuar këtë të premte në Kroaci, ku së bashku ndodhen në Dubrovnik në kuadër të Samitit të 8-të të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore, Juglindore dhe Republikës Popullore të Kinës.

Në fokus të bisedës ka qenë çështja e kufirit mes dy vendeve, por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në BE. 

Dy Kryeministrat mbajnë edhe postin e ministrit të Jashtëm, edhe pse këto detyra i kanë deleguar.

Ndërkohë, kreu i qeverisë shqiptare u takua edhe me homologun kinez Li Keqiang.

Kryeministri Rama kërkoi nga Keqjang përshpejtim të procedurave për lejimin e produkteve shqiptare në tregun kinez.

Një element i rëndësishëm, i kërkuar nga Rama ishte edhe heqja e ndërsjellë e vizave mes dy vendeve.

Nga ana e tij, kryeministri Li Keqiang konfirmoi heqjen e çdo barriere për importin e verës, mjaltit dhe vajit të ullirit shqiptar.

Gjithashtu, kreu i qeverise kineze premtoi ndërmarrjen e hapave të nevojshme për heqjen e vizave si dhe njohjen e ndërsjellët të diplomave universitare.

Sa i përket samitit qëllimi i këtij takimi është përforcimi e bashkëpunimit të vendeve të rajonit me Pekinin dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta, veçanërisht në infrastrukturë dhe energji.

/Ora News.tv/