KPK konfirmon në detyrë Prokurorin Besim Hajdarmataj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë Prokurorin e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj.

Po ashtu KPK vendosi transferimin e dosjes që i përket çështjes penale nr  129 të vitit 2010 pranë organit kompetent për respektimin e shkaqeve që mund të bëjnë shkelje disiplinore.

Vendimi i KPK i njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerit publik dhe vëzhguesit ndërkombëtar, të cilët mund të bëjnë edhe ankimim në KPA.

Prokurori doli i pastër në tri kriteret, ndërkohë që në adresë të tij ishin depozituar tre denoncime, të cilat sipas KPK-së nuk ishin verifikuar si të sakta dhe të vërteta.

Hetimi për Hajdarmatajn

Në lidhje me pasurinë, sipas KPK ka rezultuar se Hajdarmataj ka dy depozita bankare, një me 5 milionë dhe një tjetër me vlerë 1 milionë të cilat e kanë burimin nga kursimet e pagës prej vitit 1997 deri në vitin 2016, të cilat sipas Komisionit përputhen me deklarimet e tij.

Në llogari të prokurorit ishin edhe dy shuma parash prej 6 mijë eurosh dhe 4 mijë paundësh  të dërguara nga i vëllai me banim në Angli.

KPK deklaron se pas verifikimeve ka rezultuar se i vëllai figuron me punësim të ligjshëm në Angli, duke i quajtur dhuratat të justifikuara.

Në lidhje me figurën, DISK ka sjellë një raport ku thuhet se Hajdarmataj është i përshtatshëm për të vazhduar detyrën.

Sipas verifikimeve  rezulton se prokurori nuk ka kontakte me persona të papërshtatshëm. Por KPK sqaroi se  pranë ONM kanë ardhur 3 denoncime anonime mbi prokurorin.

Tre denoncuesit pretendojnë se Hajdamataj ka lidhje me M.L., V.H., me persona të skeduar për trafik të lëndëve narkotike.

Po ashtu në denoncimin e pretenduar se Hajdarmataj pushonte e transferonte çështjen nga Krimet e Rënda tek Prokuroria e Rrethit kundrejt pagesave.

Ne çështjen "Babale" ai është marrë nën hetim për shpërdorim detyre, ndërsa pretendohet se ka pasuri të fshehta.

Po ashtu në denoncim Hajdarmataj akuzohej  se ka transferuar nga Krimet e Rënda për në Prokurorine e rrethit të dosjes së 12 tonëve hashash  të kapur në Përmet.

EMISIONET