Kosovë, riatdhesohen 56 qytetarë të bllokuar në Emiratet Arabe

Kosovë, riatdhesohen 56 qytetarë të bllokuar në Emiratet

Ditën e sotme, 56 qytetarë kosovarë u riatdhesuan nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ata kishin mbetur në Emirate pas vendosjes së izolimit për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Është vetë Ambasada e Kosovës që e ka bërë të ditur një lajm të tillë përmes një postimi në Facebook. Në lajmërimin e saj thuhet se qytetarët u nisën mëngjesin e sotëm drejt Tiranës.

30 prej qytetarëve të riatdhesuar janë studentë.

“Pas një periudhe të vështirë të pritjes dhe paqartësive të shumta, sot në mëngjes në drejtim të Tiranës kanë fluturuar 56 qytetarë të Kosovës të cilët kishin mbetur në Emirate pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend. Mbi 30 nga këta qytetarë ishin studentë në Universitetin e Sharjias kurse të tjerët ishin familje dhe individë që humbën vendet e punës pas mbylljes totale të EBA apo mbetën aty kur u anuluan fluturimet”, - shkruan ambasada.

Ambasada ka njoftuar se të gjithë pasagjerët janë testuar në aeroport për testin COVID-19 dhe të gjithë kanë rezultuar negativ.

“Ambasada e Republikës së Kosovës falënderon Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në EBA për punën e madhe në këtë projekt të madh humanitar, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Jashtme të EBA, FSK dhe të gjithë ata që ndihmuan që këta qytetarë të Kosovës të bashkohen me familjet e tyre”, thuhet në fund të njoftimit.


EMISIONET