Lëvizja Socialiste për Integrim e cilëson alarmante situatën ekonomike në Shqipëri. Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, theksoi se rritja ekonomike do të përgjysmohet, e për këtë solli në vëmendje raportin e Bankës Botërore, që nxjerr në pah rritjen e korrupsionit në administratën tatimore.

Situata ekonomike në Shqipëri po përkeqësohet çdo ditë e më tepër, e këtë e tregojnë dhe shifrat alarmante të raportit të Bankës Botërore.

Në një dalje për mediat, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, denoncoi se bizneset nuk ndihmohen nga shteti, por përdoren vetëm për të paguar gjobat ndaj administratës tatimore.

Vasili: Bizneset shqiptare në masën 36% ankohen se është administrata publike, tatimore e qeverisë që ju merr shpirtin dhe se ju kërkon zarfet me ryshfet, pikërisht kjo administratë e shtetit që ata të bëjnë punën e tyre.

Vasili pati dhe një deklaratë për konferencën e kryetarëve që po shqyrtonte projektbuxhetin për vitin 2020.

Vasili: Pikërisht në të njëjtën kohë, tufa e rilindësve kusarë po lëshojnë në publik mashtrimet dhe gënjeshtrat e radhës për rritje ekonomike imagjinare, për mirëqenie imagjinare. Ndërkohë që mjerimi është e vërteta e madhe, shpopullimi është e vërteta e madhe, shkatërrimi ekonomik është e vërteta e madhe, shkatërrimi shoqëror është e vërteta e madhe dhe në themel e familjes shqiptare për shkak të varfërisë janë të vërtetat e mëdha.

Numri dy i LSI-së paralajmëroi se vendi është në prag të një kolapsi financiar, ndaj dhe bëri thirrje për tu bashkuar kundër qeverisë Rama.



/Ora News.tv/