Në Gjirokastër prej së hënës ka ngritur siparin Festivali Teatror Mbarëshqiptar “Kadri Roshi”.

Gjatë 8 ditëve të festivalit në skenë do të ngjiten trupa nga Shqipëria, Kosova, por edhe Tetova e Presheva. Festivalin e përshëndeti aktori i njohur Birçe Hasko.

Në natën e dytë është shfaqur komedia “Kopraci” interpretuar nga aktorët e Teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës.

Protagonisti kryesor i saj është aktori i njohur Koço Qëndro, 93 vjeç, i cili shpreh gjithmonë emocionet kur ngjitet në skenë.

Koço Qëndro: Dramën, të loz tragjedi dhe ti bëj njerëzit të qeshin është pak e përpjetë kështu. Duhet me doemos të djerësish shumë që të meritosh duartrokitjet e merituara të spektatorëve. Është shfaqja e 362 që është dhënë në Shqipëri, e kemi dhënë edhe jashtë shtetit deri në Stamboll dhe në festival ndërkombëtar edhe kemi pasur të njejtin sukses. Por këtu nuk e di pse pata emocione më tepër.

Juria e tij do të drejtohet nga Rajmonda Bulku, ndërsa anëtarë janë Mevlan Shanaj, Suela Konjari, Birçe Hasko dhe Petrit Ruka.

Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi ka  premtuar vazhdimësinë e aktivitetit edhe në të ardhmen. Organizatorë të eventit mbarë kombëtar janë Teatri i qytetit “Zihni Sako” si dhe Bashkia e Gjirokastrës.  

/Ora News.tv/