Presidenti brazilian Jair Bolsonaro që është në një konfrontim me Francën për zjarret në Amazon, është shprehur se do ndalojë përdorimin e stilolapsave ‘Bic’, një markë franceze.

Bolsonaro ka nënshkruar deri tani dokumente zyrtare me këto stilolapsa që shpesh  ka mbajtur edhe përpara kamerave televizive.

“Compactor, stilolaps i markës braziliane, do zëvendësojë Bic,”-u tha ai gazetarëve.

Gjithashtu ai u shpreh në Facebook se vendosi të ndryshojë markën e stilolapsit që përdor për shkak se Bic është markë franceze.

Rreth 95% të stilolapsave të shitura në Brazil nga Bic janë prodhuar në Manaus, Amazon, një nga nëntë shtetet që përfshin pylli tropikal i Amazon.

Kompania ka rreth 1 mijë punonjës të punësuar në fabrikat e tij në Manaus dhe Rio de Janeiro.

Zjarret masive që kanë përfshirë Amazon kanë shkaktuar debat mes Francës dhe Brazilit, ku dy liderët nuk i kanë kursyer akuzat ndaj njëri-tjetrit.

/Ora News.tv/