"Trupa vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Besnik Cani, me detyrë prokuror në prokurorinë pranë Gjykatës së rrethit gjyqësor Elbasan, aktualisht këshilltar në Prokurorinë e Përgjithshme".

Me këtë vendim që la në detyrë prokurorin Besnik Cani, kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka dhënë fund kontrollit të emrave të listës prioritare me 57 gjyqtarë dhe prokurorë që kandidonin për institucionet e reja të drejtësisë si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Në bazë të ligjit, lista me emrat e kandidatëve që kanë kaluar fazën e parë të vettingut i dërgohen kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe Prokurores së Përgjithshme, të cilët kanë afat që brenda një periudhe një mujore të mbledhin gjyqtarët dhe prokurorët për të votuar kandidatët.

Burime nga KPK kanë bërë me dije për Ora News se KPK do të zbatojë ligjin dhe brenda afatit të përcaktuar do ti dërgojnë listën me emrat e përzgjedhur dy krerëve që mundësojnë mbledhjen.

Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme pritet të zhvillojë mbledhjen e prokurorëve brenda datave 11 ose 14 dhjetor.

Ndërsa kryetari i Gjykatës së Lartë, i cili është njëkohësisht dhe kryetar i Konferencës së Gjyqtarëve nuk e ka përcaktuar ende një datë.

Që në nisje të procesit, KPK ka konfirmuar në detyrë 36 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa ka nxjerrë nga sistemi 31 prej tyre.

Pothuajse të gjitha vendimet janë ankimuar në KPA nga Komisioneri Publik dhe vetë subjektet, por kjo nuk e pengon nisjen e procedurës për formimin e institucioneve të reja të drejtësisë.

/Ora News.tv/