Konfindustria: Shqipëria ka mbetur prapa në garën për tërheqjen e investimeve në vend

Konfindustria: Shqipëria ka mbetur prapa në garën për

Konfindustria shpreh shqetësimin për uljen e ndjeshme të Shqipërisë në raportin e fundit të “Doing Business” për vitin 2018.

Vendi ynë rezultoi me 19 pikë më pak krahasimisht me vitin pararendës në klasifikimin e përgjithshëm botëror që vlerëson mjedisin e të bërit biznes.

Konfindustria vlerëson, se mbështetur në të dhënat e raportit të plotë të “Doing Business”, rënia e fortë është e lidhur para së gjithash me rritjen e shpejtë të vendeve të tjera dhe gjithashtu me vendet konkurrente të rajonit.

“Shqipëria është në vend të parafundit, duke lënë prapa vetëm Bosnje-Hercegovinën e paqeverisur, por e ndarë praktikisht në 3 shtete. Treguesi i mësipërm është shenjë e qartë, se Shqipëria ka mbetur prapa në garën e konkurrencës me vendet e tjera në tërheqjen e investimeve të vendit dhe të huaja,”-tha Konfindustria.

Sipas konfindustrisë treguesit zyrtarë makroekonomikë për 9-mujorit të vitit 2019 mbështesin përfundimet e “Doing Business” dhe flasin se gjendja do të jetë e vështirë edhe për vitin në vazhdim.

Rënia me pothuaj 50% e të ardhurave buxhetore nga tatim fitimi mbi vlerën e shtuar si zëri kryesor buxhetor dhe rënia e kahut të rritjes ekonomike në gjysmën e parashikimit vjetor janë tregues sipas Konfindustrisë për vazhdimësinë e gjendjes së vështirë ekonomike.

“Gjendja paraqitet mjaft më e vështirë, nëse vlerësojmë se borxhi publik është të paktën 10% më i lartë, pa llogaritur detyrimet financiare për koncesionet dhe PPP si dhe duke mos marrë parasysh se KLSH (Kontrolli i Lartë i Shtetit) ka përllogaritur afër 500 milionë $ detyrime të shtetit ndaj të tretëve, që nuk bëjnë pjesë në treguesit zyrtarë,”-shtoi Konfindustria.

Po kështu Konfindustria vlerëson, se të dhënat e “Doing Business” janë një marketing negativ, sidomos për sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja në vend.

EMISIONET