Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka konstatuar shkelje të ligjit nga ana e Partisë Socialiste, duke theksuar se ka nisur para kohe fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit. Për këtë shqetësimi i  ka dërguar një letër KQZ-së, ndërsa drejtorja Erida Skëndaj, thotë se kodi ka vakume  ligjore të cilat duhen zgjidhur.   

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ka kërkuar ndërhyrjen e KQZ për të mos lejuar fushatat të parakohshme  për partitë politike. Ky institucion i referohet aktiviteteve të PS, ndërsa drejtorja ekzekutiva, Erida Skëndaj,  në një intervistë për Televizionin ORA thotë se ligji zgjedhor ka mangësi dhe nuk i parashikon situata të tilla.

Erida Skëndaj: Në Shqipëri ndodhin situata të tilla që është e vështirë që ligji t'i paraprijë dhe t'i parashikojë në detaje.

Por përtej, parashikimeve ligjore, Skëndaj thotë se kjo situatë kërkon vullnet politik.

Fushatat e parakohshme rrisnin edhe rrezikun e përdorimit të administratës dhe fondeve publike.  

Erida Skëndaj: Për këtë çështje duhet të ketë edhe një vullnet politik, për t'i dhënë fund administratës publike dhe burimeve të tjera publike që shteti disponon me qëllim që ato të shfrytëzohen sa i takon fushatës së parakohshme zgjedhore.

PS ka ndërmarrë një turne  në gjithë Shqipërinë “bashkia që duam” ku në shumë raste janë prezantuar edhe kandidatët për zgjedhjet e 30 qershorit, ndërkohë  Partia Demokratike,  edhe pse ka artikuluar  se nuk do të ketë zgjedhje me kryeministër Edi Rama, ka intensifikuar takimet me strukturat dhe qytetarët në gjithë vendin.

 

/Ora News.tv/