Ambientet e Komisariateve, kryesisht në Tiranë, janë të mbipopulluar dhe me kushte çnjerëzore për të mbajtur të ndaluarit apo të arrestuarit. Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngre alarmin se ambientet e paraburgimit janë të pa ajrosur si dhe kanë mungesa higjeno-sanitare. Gjithashtu konstatohet se shumë ankesa të ndaluarve për shkak të trajtimit në komisariate nuk hetohen nga Prokuroria.

Kushtet në komisariatet për të ndaluarit dhe të arrestuarit janë jashtë çdo standardi. Në raportin e publikuar të Komitetit Shqiptar të Helsinkit konstatohet se në rastin e protestuesve për Rrugën e Kombit, në Komisariatin nr.3 në Tiranë dhomat ishin të mbipopulluara ndërsa  në komisariate të tjera në Tiranë si dhe në Shkodër dhomat janë pa ajrim dhe me mungesa krevatesh.

Erida Skëndaj, Drejtore e KSHH: Kushtet fizike janë kushtet e një trajtimi çnjerëzor dhe degradues. Kur kemi parë persona të ndaluar dhe të arrestuar që flinin në tokë me dyshek, jashtë kushteve higjienike. Jetonin në dhoma ku kishte mungesë ajrimi. 

Në disa prej institucioneve të Policisë së Shtetit nuk ka ambiente të përshtatshme për të miturit që ndalohen nga Policia për vepra të ndryshme.

Gjithashtu, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka vërejtur se mungon qasja për një hetim të plotë dhe të thellë nga prokuroria për ankesat e të arrestuarve për shkak të kushteve dhe trajtimet në paraburgime.

Erida Skëndaj, Drejtore e KSHH: Ka patur raste të pretendimit të ushtrimit të dhunës nga persona të cilët janë në sistemin e burgjeve. Në rastet kur i kemi referuar në prokurori është vendosur mosfillimi i çështjes penale ose pushim.

Në këtë vëzhgim konstatohet se ka raste kur personat shoqërohen, ndalohen ose arrestohen edhe për vepra penale me rrezikshmëri të ulët, duke e ilustruar me rastin e dy grave rome, të shoqëruar në komisariatin nr 4 në Tiranë për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

/Ora News.tv/