Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka vendosur të shtyjë për në shtator diskutimin për projektligjin e miratuar nga qeveria për korporatën e investimeve shqiptare. Nënkryetari i Komisionit Arben Elezi u shpreh se ky draft nuk ka transparencë, ndaj do të ngrihet një komision me ekspertë dhe deputetë në mënyrë që ligji të jetë në dobi të qytetarëve.

Komisioni parlamentar i ekonomisë kishte parashikuar diskutimin e projektligjit për korporatën e investimeve shqiptare në mbledhjen e së martës, por me vendim të deputetëve, shqyrtimi I draftit u shty për në shtator.

Nënkryetari i komisionit Arben Elezi deklaroi se projektligji ka mungesë transparence, ndërsa theksoi se nevojitet ngritja e një komisioni të posaçëm.

Elezi: Do të bëhet një komision duke e shqyrtuar nga ekspertët, dy përfaqësues të opozitës dhe dy të mazhorancës. Çdo gjë do të bëhet në shërbim të qytetarëve shqiptarë sepse ligji për korporatën nuk ka transparencë dhe nuk i shërben qytetarëve.

Projektligji i miratuar më herët nga qeveria parashikon krijimin e një korporate tregtare me pronësi shtetërore, që do të administrojë pronat publike, investimet, si dhe mobilizimin e parave publike dhe private për investime të reja. 

/Ora News.tv/