Komisioneri për Zgjerimin e BE: Optimist për hapjen e negociatave me Shqipërinë

Komisioneri për Zgjerimin e BE: Optimist për hapjen e negociatave me

Viti 2020 është paralajmëruar në Bruksel si një vit vendimtar për fatin e Ballkanit Perëndimor. Media gjermane DW ka realizuar një intervistë me shefin e politikave të zgjerimit, Oliver Varhelyi, i cili nuk e fsheh optimizmin për hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin.

Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, shprehet optimist se 2020-ta do të jetë viti që do afrojë Ballkanin Perëndimor më afër unionit.

Në një intervistë për medien gjermane Deutsche Welle, Varhelyi pohon se kjo perspektivë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të konfirmohet para muajit maj në formën e hapjes së negociatave.

"Qëllimi im është që vitin e ardhshëm dhe gjatë mandatit tim pesëvjeçar të përshpejtohet procesi i afrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe të forcohet perspektiva e anëtarësimit. Me rëndësi është që vendimi pozitiv të merret shumë kohë para samitit të Zagrebit në maj," deklaron komisioneri europian.

Ndërsa pranon rezervat e vendeve si Franca dhe disa të tjerave për procesin, Oliver Varhelyi, thekson se problemet e brendshme politike nuk duhet të mohojnë reformat dhe zhvillimin që anëtarësimi europian i paraqet rajonit.

"Ambicia ime është që të nxisim zhvillimin ekonomik dhe që deri në fund të mandatit tim, të paktën një prej këtyre vendeve të mund të anëtarësohet në BE. Ndërsa të tjerat të avancojnë shumë në këtë proces të negociatave," shton Varhelyi.

Mësohet se në takimin paraprak në muajin mars, liderët europianë mund të vendosin hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin, në mënyrë që dy muaj më vonë të korrigjojnë, sipas tyre, gabimin historik të kryer tetorin e kaluar, duke u skicuar dy shteteve ballkanike perspektivën europiane të 10 viteve të ardhshme.

EMISIONET