Koment: Emmanuel Macron - kundërhelmi për Trump

Koment: Emmanuel Macron - kundërhelmi për Trump

Vizita e presidentit francez, Emmanuel Macron tek Donald Trump ishte e suksesshme. Në fjalimin e tij të fuqishëm para Kongresit Amerikan, Macron tregoi se di t'i dalë përballë mikut të tij Trump mendon Michael Knigge.

Vizita e zgjeruar e Emmanuel Macron në SHBA ishte e ndarë në dy pjesë: Në qendër të pjesës së parë ishte vetë presidenti francez dhe presidenti Trump, sepse ai e ftoi presidentin francez për vizitë shtetërore në Uashington. 

Macron nga ana e tij i shpjegoi me mirësjellje diferencat politike, por u përball me respekt me mikpritësin. Presidenti francez nuk mund t'i shpëtonte-ashtu si edhe krerë të tjerë qeveritarë trajtimit tipik Trumpian. Në përpjekjen për të nderuar mikun, shprehimisht për ta bërë "më të bukur", Trumpi i pastroi me dorë zbokthin nga xhaketa e kostumit Macron. Ai i dhuroi një puthje në ajër presidentit francez dhe e tregoi veten të stuhishëm si gjithmonë.

Macron nuk e ndryshoi qëndrimin e Trumpit

Në deklaratat publike dhe gjatë konferencës së shtypit, Trump nuk ndryshoi pozicion për temat që kishin rëndësi për presidentin francez: zgjatja e marrëveshjes atomike me Iranin, angazhimin e mëtejshëm të SHBA në Siri, luftën kundër ndryshimit të klimës, dhe dhënien fund të kërcënimeve për futjen e doganave ndëshkuese për mallrat nga BE. Macron ia doli të anashkalojë këtë e të mos e jepte veten, para spektaklit pa stil të Trumpit.

Pas kësaj pjese të parë, mund të kishe përshtypjen, se Trump nuk e trajton Macron si partner të barabartë. Madje as nuk mund ta mënjanoje simpatinë për Macron për këtë. Trump e mbushi me komplimente homologun e ri, i tregoi rezidencën e George Washingtonit në Mount Vernon, dha një banket shtetëror për nder të tij. Por më vonë publikisht ai i hodhi tutje propozimet e Macron. Nga Shtëpia e Bardhë, Macron nuk mori me vete më shumë se formulën standarte: "Do ta marrim vesh shpejt."

Macron mbron vlerat europiane

Por pas kësaj erdhi akti i dytë i vizitës së Macron në SHBA, momenti kur foli para senatorëve dhe deputetëve të Kongresit Amerikan. Këtë fjalim ai e mbajti në anglisht, gjë e pazakontë për një president francez. Ajo që parashtroi Macron nuk ishte gjë tjetër, veçse një refuzim direkt i politikës Trumpiane dhe taktikës që e solli atë në pushtet. Macron mbrojti me pasion demokracinë, lirinë, tolerancën e të drejtat e njeriut si edhe bashkëpunimin ndërkombëtar - një pretencë e fuqishme e vlerave të sulmuara perëndimore.

E të gjitha këto Macron i tha para një kongresi të kontrolluar nga republikanët, që me pak përjashtime e mbështet presidentin Trump, i cili shpesh i injoron këto vlera. Fakti që fjalimi u mbajt në zemër të demokracisë së Shteteve të Bashkuara i dha atij një peshë të veçantë. Por kur kjo vizitë e Macron u përbë nga dy  pjesë, a mund të quhet si sukses, kur Macron nuk ia doli ta lëvizë Trumpin nga pozicionet e tij? Po, dhe kjo për dy arsye.

Sukses për Macron dhe BE

Së pari, sepse në Uashingtonin e Donald Trumpit duhet të jesh mirënjohës për çdo lloj suksesi të vogël. Pas suksesit të papritur  në zgjedhje, vëzhguesit në kryeqytetin amerikan spekulonin gjysmë me shaka, se banketi i parë shtetëror do të shtrohej për kryeministrin hungarez, Viktor Orban. E aq larg realitetit këto spekulime nuk ishin, në fund të fundit politikani i parë europian, që e vizitoi Trumpin pas zgjedhjes së tij ishte Nigel Rafage, strategu i Brexitit. Dhe tani Trump e cilëson diktatorin koreanoverior "një njeri të nderuar".

Para këtij sfondi ftesa për Macron, presidentin e një vendi tradicionalisht aleat por edhe një anëtar qendror në BE- nuk ishte e vetëkuptueshme. Përkundrazi: Ajo mund të shihet si një sukses si për Macron ashtu edhe Bashkimin Europian. Së dyti Macron e përdori vizitën e tij, e sidomos fjalimin e tij para kongresit amerikan, për t'i risjellë në vëmendje vlerat perëndimore dhe për t'i mbrojtur ato. Duke e bërë këtë me emocion dhe retorikë të shkëlqyer ai skicoi vizionin e një bote, që mund të përshkruhet si kundërpesha e botëkuptimit të Trumpit. Nxjerrja në pah e kësaj alternative ishte sa e shumëpritur aq edhe e nevojshme. /DW/

 

EMISIONET