Kombëtarja dhe e ardhmja, Lorenc Trashi i thotë të gjitha para Vllaznisë

Kombëtarja dhe e ardhmja, Lorenc Trashi i thotë të gjitha para

Pas ndeshjeve të kombëtares rikthehet Superliga Shqiptare. Një prej takimeve që pritet me mjaft interes në javën e saj të 8-të është ai që do të luhet në "Loro Boriçi" mes Vllaznisë dhe Partizanit.

Duel që do të tregojë shumë për formën që po kalojnë dy skuadrat, sidomos kampionët, të cilët në gjirin e saj kanë edhe futbollistin e kombëtares, Lorenc Trashi, i cili shënoi edhe gol në ndeshjen e fundit, pikërisht atë kundër Moldavisë.

E ishte pikërisht 26 vjeçari ai që doli në konferencë, ku foli për kombëtaren, premtimin e mbajtur të presidentit, Gaz Demi dhe të ardhmen.

Kombëtarja?

Trashi: Ishte grumbullimi i tretë për mua me kombëtaren. I pari ka qenë me Panuçin, nuk kam debutuar atëherë, por mundësia m’u dha tani. Me Rejën ishte komplet ndryshe. Më ka mbështetur shumë, ashtu si dhe çunat. Në momentin që u bë formacioni për ndeshjen me Moldavinë, të gjithë më kanë dhënë kurojo dhe më kanë thënë të luaja i qetë.

Partizani më i fortë këtë sezon?

Trashi: Duhet të shohim diçka që ekipi nga vjet, pothuajse është ndyshuar shumë. Vjet ka pasur një bazë 13-14 lojtarësh, edhe pse nuk kishim një stol të pasur. Por këtë vit është ndryshe. Ajo 11-she që luan me Vllazninë, nuk është e sigurt për ndeshjen tjetër. Luan kush e meriton, jo se vjet nuk ishte ashtu, por kemi pasur më pak lojtarë. Këtë vit nuk e nisëm mirë. Duhet të kemi besim dhe kam shpresë se do të kthehemi mirë, duke marrë shtysë nga derbi.

Me tre apo katër në mbrojtje?

Trashi: Unë kam luajtur me katër më shumë, por edhe mbrojtja me tre më përshtatet, pasi marrë më shumë pjesë në fazën sulmuese dhe i përshtatem kombëtares.

Klima?

Trashi: Të gjithë çunat më kanë uruar, pasi ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin. Ne kalojmë shumë kohë bashkë. Më shumë rrimë së bashku, se sa me familjet.

Lojtarët e kampionatit shqiptar në kombëtare?

Trashi: Aktualisht është Alban Hoxha me mua në kombëtare. Telushi është grumbulluar, po ashtu edhe Mala. Partizani ka lojtarë shumë të mirë, por çdo lojtar ka një moment të vetin. Unë e them që Kategoria Superiore ka shumë talente me cilësi dhe kush do ta meritojë, e them me bindje të plotë se do t’i vijë momenti.

Viti i fundit te Partizani?

Trashi: Është folur shumë për një largim. Por kjo gjë nuk varet nga unë. Kombëtarja shërben shumë mirë për një karrierë më të mirë në Europë. Shpresoj të gjejë një klub që është i interesuar për mua dhe sigurisht të gjejë gjuhën edhe me Partizanin.

E ka mbajtur fjalën presidenti?

Trashi: E ka mbajtur fjalën, pasi e mban gjithmonë. Ai më ka folur shumë gjatë grumbullimit dhe sa erdha në Tiranë, e takova dhe e mbajti premtimin.

Lerda dhe gëzimi i tij?

Trashi:
 Është gëzuar shumë dhe më ka dhënë shumë këshilla. Pas ndeshje më ka uruar si e bëri edhe live tani në konferencë.

Vllaznia?

Trashi: Partizani nuk ka ndikuar në rënien e Vllaznisë, pasi ata kanë rënë vetë. Ata kishin shumë probleme. Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë, duke parë që po kalon një moment të mirë. Vllaznia është një ekip legjendar në Shqipëri.

Gol edhe në Shkodër?

Trashi: Është një gëzim që unë shënova në kombëtare. Ajo ndeshje ka kaluar, nuk e harroj dot si ndeshje, por duhet të përqëndrohemi tek ndeshja e rradhës," përfundoi Trashi.

Ndeshja mes Vllaznisë dhe Partizanit është programuar për tu luajtur nesër në orën 19:00.

EMISIONET