Valsi i pankinave në Serie A sapo ka nisur. Sampdoria shkarkoi trajnerin Eusebio Di Francesco pas rezultateve zhgënjyes në 7 javët e para të kampionatit, ndërsa pas tij pritet edhe largimi i Marco Giampaolo nga Milani.

Janë lakuar disa emra për të zëvendësuar Di Francesco-n, por së fundi në skenë ka dalë edhe Gianni De Biasi. Sipas "Sky" ish-trajneri i Shqipërisë është një profil që po analizohet nga presidenti Massimo Ferrero dhe stafi i tij.

Aktualisht De Biasi është pa ekip që pas aventurës të shkurtër në vitin 2017 në Spanjë me Alaves. Emri i tij shihet si një kandidat potencial për të marrë frenat e Sampdoria, që në këtë start të Seria A ka arkivuar vetëm një fitore dhe pozicionohet në vend të fundit të kampionatit.

Përveç tij, klubi ka vlerësuar edhe disa profile të tjera, përfshirë atë të Stefano Piolit, i cili tani është më afër Milanit. Gennaro Gattuso mbetet në prapavijë, por në orët e fundit ka avancuar De Biasi.

Trajneri i cili i befasoi të gjithë me Shqipërinë duke e dërguar për herë të parë në një kompeticion madhor si Europiani 2016, dëshiron të rikthehet në pankinë.

Kohët e fundit, 63 vjeçari ka deklaruar në mediat italiane se është afër akordit me një kombëtare jashtë Europës, megjithatë Serie A mbetet një ligë tërheqëse dhe ai nuk mund t'i thotë "JO" Sampdorias nëse vjen oferta.

Me ardhjen e trajnerit të lindur në Sermede, Samp mund të kalojë domosdo në reshtimin 3-5-2, modul i përdorur shpesh nga De Biasi.

/Ora News.tv/