Kim Mehmeti: Partitë politike si gropat septike, Shqipëria shtet brenda shtetit

Kim Mehmeti: Partitë politike si gropat septike, Shqipëria shtet

Publicisti, Kim Mehmeti, nuk është aspak optimist se Shqipëria do të mund të dalë nga kjo krizë e thellë politike në të cilën ka hyrë.

I ftuar në RTV Ora, Mehmeti thotë se Shqipëria e parë nga jashtë është si një shtet brenda shtetit, një Shqipëri që drejtohet nga nëntoka e politikës dhe tjetra e popullit të varfër.

Partitë politike sipas tij janë shndërruar në gropa septike dhe tani ka filluar beteja mes kriminelëve që kontrollojnë politikën dhe politikanëve që kontrollojnë krimin.

Kim Mehmeti: Nëse e shikoni Shqipërinë nga jashtë ajo ngjan si dy shtete në një. Si një shtet brenda shtetit që e drejton nëntoka politike dhe një shtet tjetër ku jetojnë shqiptarët e rëndomtë. Kjo Shqipëria e nëntokës politike është parajsë sepse u ofron atyre komoditet, para, pasuri. Ndaj lufta është kaq mizore dhe nuk dorëzohen, nuk ka zgjedhje të parakohshme.

Dhe ato të kohshmet nuk bëhen si duhet sepse kjo luftë është shumë e ashpër, ai që është në krye kontrollon të dy Shqipëritë. Shqipëria do ta ketë shumë të vështirë të dalë nga kjo krizë. Partitë politike janë shndërruar në gropa septike. 

Tani fillon beteja mes kriminelëve që kontrollojnë politikën dhe politikanëve që kontrollojnë krimin. Ka ardhur koha që të dyja palët ndihen të forta dhe nuk duan më ta ndajnë Shqipërinë me askënd, as këta të krimit nuk duan ta ndajnë me politikanët, as këta politikanët nuk duan ta ndajnë me krimin. 

Kjo më së miri shihet sesi funksionon Rilindja. Asnjëherë nuk do të dëgjoni nga Kryeministri sesi është Shqipëria për shqiptarët. Por ne jemi në një vijë me ndërkombëtarët, ne na përkrahin diplomatët. Ata e kuptuan që të mbeten të fortë, që të mund ti mbajnë në dorë të dy këto Shqipëritë nuk është me rëndësi se çfarë mendon populli, por ndërkombëtarët.


EMISIONET