Kryeministri në detyrë i Kosovës ka deklaruar se është kërcënuar nga e ashtuquajtura Garda Vullnetare Shqiptare.

Kjo organizatë kishte thënë se kishte informacione se grupe të ndryshme të Vetëvendosjes do të organizonin protesta në Prishtinë, dhe paralajmëroi Kurtin dhe VV që të shqetësohen për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre.

Por Kurti mendon se në fakt ky është një kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka shpjegim tjetër.

Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të.

''Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura "Garda Vullnetare Shqiptare", në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër.

Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata.

Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t'i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin.

Dekreti i Presidentit nuk është amandament kushtetute. Për çka nuk flet Kushtetuta nuk mund të flasë Presidenti. Ai duhet ta respektojë Kushtetutën dhe nuk mund ta shkruajë atë.

Ne jemi duke i ndjekur me kujdes zhvillimet teksa po presim Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në zgjedhjet e ardhshme do ta thellojmë diferencën si asnjë subjekt tjetër i parë në Kosovën e pasluftës.''

Vlen të theksohet se kjo organizatë është fantazmë dhe e padëgjuar ndonjëherë në Kosovë të cilën Kurti e zbuloi dje.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili tha se kërcënimi ka ardhur nga rrjeti social Facebook dhe tani po zhvillohen hetimet, ai tha se për këtë kanë kontaktuar edhe me zyrtarët e Facebook.


/Ora News.tv/