Këngët e Nexhmije Pagarushës do dëgjohen në të gjitha lokalet e Prishtinës
Në të gjitha lokalet e Prishtinës sot pritet të dëgjohen këngët e Nexhmije Pagarushës.
Iniciativa realizohet nga Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës në koordinim me Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi.
“Diva origjinale e trevave tona do dëgjohet, në sinkron, në të gjitha lokalet e Prishtinës, në të njëjtën kohë, për të prodhuar një kontrast që bashkëvepron. Zëri i saj do shkrijë mërzinë tonë dhe në anën tjetër do ta ngrijë kujtimin për të në mendjet tona”, shkruante Petrit Kllokoqi, Kryetar i Gastronomëve të Prishtinës.
Postimi i plotë i Petrit Kllokoqit, Kryetar i Gastronomëve të Prishtinës:
Artistët jetojnë për të krijuar dhe madhështia e veprave të tyre matet përmes rrezes që përçon arti që ata i dedikojnë jetën. Prandaj amshimi i artistëve nuk është vdekje, meqë krijimtaria ua siguron përjetësinë tokësore që mundësohet nga kultivimi i përhershëm i artit të tyre. Nexhmie Pagarusha është një krijuese e kësaj përmase dhe konsumimi i vazhdueshëm i artit të saj do t’ia sigurojë përjetësinë.
Diva origjinale e trevave tona nesër do dëgjohet, në sinkron, në të gjitha lokalet e Prishtinës, në të njëjtën kohë, për të prodhuar një kontrast që bashkëvepron. Zëri i saj do shkrijë mërzinë tonë dhe në anën tjetër do ta ngrijë kujtimin për të në mendjet tona.
Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës, në koordinim me Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit znj. Vlora Dumoshi, janë dakorduar që të vendosin një vepër simbolike për nder të vdekjes së ikonës shqiptare. Përherë, do të jehojë zëri i saj në kujtimet e bukura që la tek ne.
Shprehim konsideratë të veçantë për Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit znj. Dumoshi, për iniciativën e qëlluar.
Me respekt, Petrit Kllokoqi – Kryetar i Gastronomëve të Prishtinës. LAVDI!